Guvernatori Ismaili pjesë e konferencës ndërkombëtare për avancimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, me temë “25 vjet në avancimin e profesionit: nga themelet drejt transformimit”.
Në fjalën e tij hyrëse, guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në forcimin e transparencës, llogaridhënies financiare, qeverisjes korporative dhe besimit ndaj sistemit financiar.
Ai vlerësoi kontributin e organizatave profesionale të fushës në ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe në ngritjen e standardeve të raportimit financiar në Kosovë.
Guvernatori Ismaili theksoi se për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, raportimi financiar cilësor, auditimi i pavarur dhe qeverisja e mirë korporative janë elemente të rëndësishme për stabilitetin financiar, integritetin e tregut dhe besimin në sektorin financiar. “Një sistem financiar i qëndrueshëm nuk mbështetet vetëm në kapital të mjaftueshëm dhe likuiditet të mirë, por edhe në informacion të besueshëm, pasqyra financiare të sakta dhe auditim profesional. Në këtë kuadër, auditimi i jashtëm dhe raportimi cilësor mbeten instrumente të rëndësishme për forcimin e disiplinës së tregut dhe të mbikëqyrjes financiare”, theksoi guvernatori Ismaili.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori nënvizoi se BQK-ja ka avancuar në vazhdimësi kornizën rregullative, mbikëqyrëse, dhe te raportimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane, duke rritur fokusin në mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, qeverisjen, menaxhimin e rrezikut, dhe zgjerimin e kërkesave te raportimit krahas cilësisë së raportimit financiar.
Ai shtoi se sektori financiar në Kosovë mbetet i qëndrueshëm, mirë i kapitalizuar dhe me tregues të shëndoshë, ndërsa ruajtja e kësaj qëndrueshmërie kërkon transparencë të lartë, raportim të besueshëm, auditim profesional dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Në këtë drejtim, guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Financave, Këshillit Kosovar për Raportim Financiar, Administratës Tatimore, organizatave profesionale, komunitetit akademik dhe sektorit privat, me qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta dhe avancimin e mëtejshëm të standardeve profesionale.
Ai rikonfirmoi zotimin e BQK-së për të fuqizuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe profesional, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së, i cili e vendos bashkëpunimin dhe koordinimin institucional si një nga prioritetet e rëndësishme për avancimin e objektivave të saj.
Në pjesën përmbyllëse, guvernatori Ismaili u ndal edhe te transformimet që po ndikojnë në profesionin e kontabilitetit dhe auditimit, përfshirë zhvillimet teknologjike, financat digjitale, përdorimin e inteligjencës artificiale, raportimin e qëndrueshmërisë dhe faktorët ESG.
Ai theksoi se këto zhvillime krijojnë mundësi të reja, por njëkohësisht kërkojnë kompetenca të përditësuara, etikë të fortë profesionale dhe ruajtje të parimeve themelore të integritetit, pavarësisë, kompetencës dhe përgjegjësisë publike.
BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, në funksion të stabilitetit financiar, integritetit të sektorit financiar, transparencës dhe përafrimit me standardet evropiane.



