
Guvernatori Ismaili pritet në selinë e EIOPA-s, diskutohet për fushën e sigurimeve dhe pensioneve
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, u prit në selinë e Autoritetit Evropian për Sigurime dhe Pensione (EIOPA) në Frankfurt, gjatë një vizite zyrtare.
Takimi u fokusua në zhvillimet e fundit në fushën e sigurimeve dhe pensioneve.
Petra Hielkema u informua mbi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, përfshirë kornizën ligjore dhe rregullative, si dhe përkushtimin e BQK-së ndaj reformave të orientuara drejt përafrimit të sistemit financiar me atë të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve, forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, si dhe harmonizimin e mëtejshëm të kornizës ligjore dhe rregullative, në kuadër të rrugëtimit integrues të Kosovës drejt BE-së.
Ky takim u zhvillua në frymën e angazhimit të vazhdueshëm të BQK-së me autoritetet përkatëse mbikëqyrëse financiare të Bashkimit Evropian.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në nivel teknik dhe profesional, duke rikonfirmuar përkushtimin për avancimin e reformave që promovojnë stabilitetin financiar, zhvillojnë më tej sektorin e sigurimeve dhe pensioneve, nxisin edukimin financiar dhe konsolidojnë praktikat e mbrojtjes së konsumatorit.