Guvernatori Ismaili rikonfirmon përkushtimin e BQK-së për integrimin evropian

02 tetor 2025 | 13:07

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë në takimin vjetor të Forumit të Iniciativës së Vjenës (Vienna Initiative), i cili u mbajt më 29-30 shtator në Bruksel organizuar nga Komisioni Evropian, me pjesëmarrjen e Komisioneres së BE-së, Maria Luis Albuquerque.

Forumi mblodhi së bashku guvernatorët e bankave qendrore, rregullatorët, institucionet financiare ndërkombëtare, bankat dhe përfaqësues të sektorit më të gjerë financiar për të diskutuar lidhur me Unionin e Kursimeve dhe Investimeve si dhe mundësitë e integrimit të Tregjeve të Kapitalit në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE).

Takimi u drejtua nga Boris Vujcic, guvernator i Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe Kryesues i Komitetit Drejtues të Iniciativës së Vjenës.

Pjesëmarrës të nivelit të lartë ishin gjithashtu John Berrigan, drejtor i oërgjithshëm i DG FISMA dhe Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm i DG ENEST, së bashku me guvernatorë dhe zëvendës-guvernatorë nga bankat qendrore të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore si dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Guvernatori i BQK-së riafirmoi përkushtimin e saj të fortë për avancimin e integrimit në tregun evropian, duke theksuar rëndësinë e reformave të vazhdueshme të infrastrukturës së tregut dhe rrugëtimin strategjik të Kosovës drejt anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Anëtarësimi në SEPA si prioritet për BQK-në, përfaqëson jo vetëm modernizimin e sistemit të pagesave, por edhe një hap thelbësor drejt harmonizimit me standardet e BE-së dhe thellimit të integrimit financiar dhe ekonomik evropian.

Diskutimet gjatë forumit nënvizuan rëndësinë e një infrastrukture të qëndrueshme të tregut financiar të BE-së për mbështetjen e Unionit të Kursimeve dhe Investimeve.

Në këtë kontekst, BQK-ja angazhohet të avancojë legjislacionin për të zgjeruar qasjen në financim dhe për të krijuar tregun e kapitalit, krahas reformave që synojnë forcimin e sistemeve të pagesave, avancimin e praktikave mbikëqyrëse dhe rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së ekosistemit financiar të Kosovës. Këto nisma synojnë rritjen e besimit të investitorëve, për të zgjeruar qasjen në shërbime financiare dhe për të mbështetur konkurueshmërinë afatgjatë të ekonomisë.

Në kuadër të Forumit, Guvernatori Ismaili takoi dhe diskutoi me përfaqësues të lartë nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane (BQE), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore (BB), si dhe me guvernatorë të bankave qendrore të rajonit (CESEE).

BQK-ja rikonfirmon përkushtimin e saj për forcimin e bashkëpunimit rajonal, përshpejtimin e integrimit financiar dhe avancimin e reformave, ku anëtarësimi në SEPA shërben si bazë e modernizimit dhe integrimit financiar dhe si nxitës i rritjes së qëndrueshme ekonomike, me përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)…