Guvernatori Ismaili shpalos para medieve prezantimin vjetor për vitin 2023

28 dhjetor 2023 | 14:48

Sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar, cilësia e aseteve është adekuate. Ndërmjetësimi financiar është rritur, ndërsa qasja në financa ka nevojë të zgjerohet, me theks me atë në kushte sa më konkurruese dhe të përballueshme, ka theksuar Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili gjatë prezantimit vjetor para medieve, e organizuar në prag të fundvitit.

Sa i përket treguesve makroekonomik, rritja ekonomike në Kosovë sipas BQK-së në vitin 2023 pritet të jete 3.4 për qind, derisa për vitin 2024, pritet një rritje më e lartë prej  4.2 për qind, mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe eksporti. Gjithashtu, projeksionet e BQK-së për shkallën e inflacionit në tremujorin e fundit sugjerojnë për një ngadalësim të ritmit në 2.9 për qind, ndërkohë që mesatarja e vitit 2023 pritet të jetë 5.1 për qind.

Për sa i përket sfidave në ekonominë e vendit në vitet vijuese, sipas Guvernatorit Ismaili, marrë parasysh liberalizimin e vizave në vitin 2024 dhe dilemave te ngritura rreth ndikimeve potenciale në fuqinë punëtore (tregun e punës) dhe në ekonomi në përgjithësi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka përfshirë këtë ndikim në supozimet e skenarit bazë të projektimit të BPV-së për vitet 2024 dhe 2025. Vlerësimet e BQK-së konsistojnë në ndikim të ultë në periudha të shkurtra kohore, ndërkohë që ngjashëm me vendet e rajonit, praktikat sugjerojnë se bizneset përpiqen të neutralizojnë këtë ndikim në tregun e punës.

Lidhur me eksportin dhe importin e mallrave e shërbimeve, i pari i BQK-së ka shtuar se për periudhën janar-shtator 2023 vlera e importeve ka arritur në 5 miliardë e 271 milionë euro, kurse e eksporteve ishte 3 miliardë e 61 milionë euro.

“Bilanci tregtar i shërbimeve, vazhdimisht ishte pozitiv dhe deri në shtator 2023 shënoi vlerën 1 miliardë e 398 milionë euro (2,419.9 – 1,021.5) që është për 20.8 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 që ishte 1 miliard e 158.1 milionë euro (2,040.6 – 882.6). Eksporti i shërbimeve për periudhën janar shtator 2023 arriti vlerën prej 2.4 miliardë euro, duke u rritur për 19 për qind, krahasuar me përudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rol kyç në këtë rritje të kësaj kategorie patën të hyrat nga shërbimet e udhëtimit, shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit që kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit”, shtoi Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili ka treguar se është hera e parë që dërgesat e mërgatës, deri më muajin nëntor 2023, tejkaluan vlerën prej 1.2 miliard eurove.

“Remitancat të pranuara deri në fund të vitit 2023, pritet të arrijnë vlerën prej 1.3 miliard euro duke shënuar rritje vjetore prej 10.5 për qind. BQK-ja parasheh që në vitin 2024, këto të shënojnë rritje prej 6.0 për qind dhe 6.1 për qind në vitin 2025”, ka theksuar Guvernatori Ismaili.

 Investimet e Huaja Direkte deri në fund të tremujorit të tretë 2023 kanë arritur vlerën e 621.3 milionë eurove, prej të cilave 368.8 milionë euro janë në sektorin e patundshmërisë. Nga parashikimet e BQK-së, IHD-të për vitin 2024 pritet të jenë 792 milionë euro, ndërsa një vit pas planifikohen se mund te arrijnë 846.7 milionë euro.

Sipas Guvernatorit Ismaili, treguesi i kredive jo-performuese (NPL) deri në fund të muajit nëntor 2023 është evidentuar në 2 për qind.

“Gjithsej asetet e sistemit financiar në vend arritën 10.62 miliardë euro, ku pjesëmarrja e bankave është 67.89 për qind, pasuar nga fondet pensionale me 24.96 për qind, IMF-të dhe IFJB-të me 4.33 për qind dhe kompanitë e sigurimeve me 2.83 për qind. Deri në fund të muajit nëntor 2023, depozitat në sektorin bankar ka arritur në 5.88 miliardë euro, kreditë në 4.88 miliardë euro, me një tregues kredi/depozita prej mbi 83 për qind”, theksoi para gazetarëve Guvernatori Ismaili.

“Treguesi i kredive jo-performuese (NPL) në muajin nëntor 2023 evidentohet 2 për qind, duke qëndruar në të njëjtin normë krahasuar me muajin dhjetor 2022. Kreditë e ndërmarrjeve, të cilat përbëjnë 60 për qind të kredive në sektorin bankar, evidentohen me një normë të kredive jo-performuese prej 2.4 për qind, ndërsa kreditë e ekonomive familjare që përbëjnë 37 për qind të sektorit, kanë normë relativisht të ulët të kredive jo-performuese, pra janë 1.4 për qind. Pra, sektori bankar ka arritur të ketë një menaxhim të kënaqshëm të rrezikut kreditor edhe përmes normës së lartë të mbulimit të kredive jo-performuese me rezervat për humbjet nga kreditë”, ka shtuar Guvernatori Ismaili.

Të dhënat tregojnë se është rritur numri i transaksioneve, gjë që sipas të parit të BQK-së kjo është një tendencë pozitive drejt digjitalizimit të shërbimeve financiare.

“Sistemi i pagesave në sistemin e pagesave ndërbankare të BQK-së shënoi rritje në numrin e transaksioneve prej rreth 7 për qind, nga 15.8 në 16.9 milionë transaksione, duke arritur vlerën prej 19.4 miliardë eurove deri në fund të nëntorit 2023, krahasim me 18.1 miliardë euro të vitit paraprak. Numri i transaksioneve në POS u rrit nga 22.48 milionë në 30 milionë transaksione, kurse në ATM nga 18.1 milionë në 19.3 milionë transaksione. Rritje të konsiderueshme shënoi edhe numri i llogarive si dhe llogarite në e-banking, sikur numri i terminaleve dhe numri i transaksioneve për para elektronike, që tregon për tendencën pozitive drejt digjitalizimit të shërbimeve financiare”, tregoi Guvernatori i BQK-së.

Në konferencën për medie, Guvernatori Ismaili ka vë në pah se ka pasur një zhvillim dhe zgjerim të aktivitetit të ndërmjetësimit financiar.

“Sa i përket sektorëve tjerë financiar, ka pasur një zhvillim dhe zgjerim të aktivitetit të ndërmjetësimit financiar, duke mbështetur qasjen në financa dhe konkurrueshmerinë. Institucionet financiare jo-bankare me ndryshimet e reja rregullative do t’ju shtohen mundësitë e konkurrimit dhe ofrimit të shërbimit të llogarisë për pagesa, që krahas llogarisë bazike në banka, do të përbejnë një mundësi shtesë. Ndryshimet në legjislacion do t’i japin shtysë këtij sektori, në pajtim me Planin e ri Strategjik të BQK-së”.

“Sektori i sigurimeve arriti vlerën e aseteve prej 300 milionë euro, dhe përkundër përmirësimeve ende ka nevojë për avancim dhe konsolidim, si në aspekt të cilësisë së aseteve dhe kapitalit, kërkesave rregullatorë, ashtu edhe zgjerimi i gamës së produkteve dhe shërbimeve, cilësisë së shërbimeve dhe mbrojtjes financiare, ku kërkohet edhe më shumë progres”.

“Vlera e aseteve të sektorit pensional arriti në 2.65 miliardë euro në nëntor 2023,  duke shënuar rritje vjetore prej 196.1 milionë, që përkon me një rritje vjetore prej 8 për qind. Ky sektor po e mbyll vitin me kthim pozitiv në vlerë prej 41.6 milionë euro”, ka vënë në pah Guvernatori Ismaili.

Duke folur për orientimet mbikëqyrëse dhe rregullatore të BQK-së, Guvernatori Ismali ka veçuar se Draft-ligjin e ri për Bankat, institucioni për i lartë financiar në vend do të jetë autoritet për licencim, mbikëqyrje, mbrojtje të konsumatorit dhe autoritet për përmbylljen e bankave.

“Në kuadër të licencimit janë zgjeruar veprimtaritë bankare dhe financiare, kriteret për licencim të veprimtarive dhe pozitave kyçe për qeverisjen e bankave. Mbrojtja e konsumatorit dhe cilësia e shërbimeve financiare me transparence dhe shpalosje te plote, do te jene pjese te rëndësishme te këtij ligji”, ka veçuar Guvernatori Ismaili.

 Në kuadër të avokimit dhe ndërkombëtarizimit te BQK dhe sektorit financiar, Guvernatori Ismaili tregoi se janë zhvilluar dhjetëra takime me ambasadat dhe përfaqësitë ndërkombëtare si dhe institucionet financiare ndërkombëtare që veprojnë në Republikën e Kosovës.

“Takimet kanë pasur karakter të angazhimit për t’u bërë pjesë e Platformave Ndërkombëtare të Pagesave, angazhimi për te mbështetur kërkesat në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë mundësi të udhëtojnë pa pengesa përmes Kartonit të Gjelbër dhe mundësisë për rritjen e bashkëpunimit me autoritetet rregullative”, tregoi Guvernatori Ismaili.

 Gjithashtu, Guvernatori Ismaili ka bërë me dije se BQK-ja gjatë këtij viti është anëtarësuar në Programin e Partneritetit për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) me Thesarin e Bankës Botërore dhe në Sustainable Finance And Banking Network (SBNF).

“BQK-ja ka aplikuar për t’u anëtarësuar në The Network of Central Banks and Supervisors for Greening the Financial System (NGFS) dhe se është duke u bërë përpjekje për anëtarësimin në CEF. Ka pasur marrëveshje për asistencë teknike me BQE-në, FMN dhe bankat e ndryshme qendrore, veçanërisht duhet theksohet bashkëpunimi i BQK-së me Banca d’Italia për Target Instant Payment Settlement (TIPS)”, ka bërë me dije Guvernatori Ismaili.  

Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara, Guvernatori Ismaili para përfaqësuesve të mediave prezentë ka shpalosur edhe disa nga veprimet e marra ndaj dukurisë së parave te falsifikuara në tregun e Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo është një luftë permanente që kërkon angazhim të pandërprerë dhe koordinim ndër-institucional.  

“Ndër masat e ndërmarra se fundi nga BQK, është marr vendim për eliminimin e tarifave të aplikuara deri tani për deponimin e monedhave nga ana e bankave komerciale në BQK duke bartur koston e këtij aktiviteti, në mënyrë që të lehtësohet dhe stimulohet tërheqja nga tregu (deponimin në banka) i monedhave më të vjetërsuara. Po ashtu, është kërkuar nga bankat komerciale që të largojnë tarifat e aplikuara ndaj bizneseve për deponimin e monedhave te bankat, veprime të realizuara gjatë këtyre ditëve, përfshirë edhe furnizimin nga BQK-ja të bankat komerciale me monedha të denominimit 2 (dy) euro të reja, krahas tjerash, për lëshuar në qarkullim të njëjtat”, ka treguar Guvernatori Ismaili.

Drejtuesi i BQK-së ka treguar se deri në fund të muajit nëntor 2023, Divizioni i Ankesave ka shqyrtuar 720 ankesa të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.

“Gjithsej ankesat për banka komerciale të adresuara në BQK janë 407, pasuar ndaj kompanive të sigurimeve me 221, kurse ankesat ndaj IMF-ve dhe IFJB-ve për këtë periudhë ishin 76”, ka treguar Guvernatori Ismaili.

Me strukturën e re organizative, BQK-ja ka themeluar Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Mbikëqyrjen e Praktikave të sektorit financiar, funksion ky i cili pritet të fuqizohet edhe me tej, bashkë me shumë kërkesa të reja rregullatore, me Ligjin e ri për Bankat që pritet të miratohet gjatë vitit 2024.  

 

Edukimi financiar dhe gjithpërfshirja, do të janë në qendër të fokusit si në aspekt të qasjes në financa, ashtu edhe në aspektin e shërbimeve cilësore, konkurruese dhe të përballueshme.  

Në fund, Guvernatori Ismaili ka prezantuar pikat e Planit Strategjik të BQK-së për vitet 2024-2028, i cili ka pesë shtylla kryesore:

1. Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe Stabilitetit Financiar;

2. Ngritja e kapaciteteve, Përkushtimi ndaj personelit, Digjitalizimi dhe Modernizimi i Proceseve;

3. Modernizimi i infrastrukturës së Tregut Financiar dhe Konkurrueshmëria;

4. Avancimi i Mbrojtjes së Konsumatorit, Edukimi Financiar dhe Përfshirjes Financiare; dhe

5. Zgjerimi i Bashkëpunimit, Përfshirjes dhe Ndikimit në Fushat e Përgjegjësisë.

Në këtë ngjarje po ashtu është bërë ndarja e tri çmimeve të para në kuadër të Çmimit të BQK-së “Ekonomisti i ri”, ku me qellim te nxitjes dhe motivimit për aktivitetin hulumtues me punimet e tyre, janë shpërblyer Qëndresë Cuci, Diellëza Mahmuti dhe Agnesa Demolli – Mehani.  

 Partneriteti me mediet dhe transparenca do të shoqërojnë aktivitetin e BQK-së. Me këtë rast, Guvernatori falënderoi mediet për mbulimin dhe korrektësinë në trajtimin e temave të sistemit financiar, si tema të ndjeshme dhe me ndikim në perceptimin publik.

“Mesazhet e stabiliteti financiar si dhe ato të edukimit financiar, mund të përçohen te qytetarët në mënyrën më të mirë në këtë bashkëpunim”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshohen…