Guvernatori Ismaili takohet me Drejtoreshën Ekzekutive të ShKÇAK-ut

17 mars 2026 | 21:53

Guvernatori Ismaili diskutoi me Drejtoreshën Ekzekutive të ShKÇAK (SCAAK) për forcimin e cilësisë së raportimit financiar dhe zhvillimin e profesionit në vend.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim Drejtoreshën Ekzekutive të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), znj. Teuta Ukshini-Aliu. Në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha me interes publik, përfshirë ngritjen e kapaciteteve profesionale, edukimin financiar dhe avancimin e transparencës në raportimin financiar.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm profesional, i cili ka kontribuar në forcimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit, si dhe në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar në vend. Në fokus të diskutimeve ishte edhe rëndësia e rritjes së transparencës në raportimin e pasqyrave financiare nga kompanitë që operojnë në Kosovë. U theksua se raportimi i besueshëm financiar kontribuon në përmirësimin e klimës së biznesit, zgjerimin e qasjes në financa dhe burime financimi, si dhe në forcimin e stabilitetit financiar. Në këtë kontekst, aktivitetet mbikëqyrëse të BQK-së marrin parasysh raportet e auditimit të jashtëm, prandaj cilësia dhe integriteti i tyre mbeten element thelbësor që kërkon rregullim dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Palët diskutuan gjithashtu për zhvillimet në fushën e pagesave dhe digjitalizimit të shërbimeve financiare, duke theksuar rëndësinë e inovacionit financiar dhe modernizimit të infrastrukturës së pagesave në funksion të rritjes së efikasitetit, sigurisë dhe përfshirjes financiare. Në këtë kuadër u vlerësua rëndësia e përgatitjes së profesionistëve të sektorit privat për adoptimin dhe përdorimin e shërbimeve financiare digjitale. Po ashtu u trajtuan tema me interes të përbashkët për avancimin e kapaciteteve profesionale, përfshirë përdorimin e sigurt të inteligjencës artificiale, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore (ESG).

Pjesë e diskutimit ishte edhe rëndësia e fuqizimit të edukimit financiar, si një element kyç për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe bizneseve të vogla mbi menaxhimin financiar dhe transparencën. Në këtë drejtim, palët shqyrtuan mundësinë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë trajnime dhe punëtori profesionale, në bashkëpunim me institucione, shoqata profesionale dhe aktorë të tjerë relevantë.

Ky takim përkon me hapjen e Javës së Parasë 2026 nga BQK, dhe ndërlidh iniciativat e përbashkëta me prioritetet e Planit Strategjik të BQK-së, duke përfshirë bashkëpunimit me organizata profesionale që kontribuojnë në interesin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

BQK mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me të gjitha palët relevante në funksion të forcimit të integritetit të tregut financiar, rritjes së transparencës në ekonomi dhe mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 33-vjeçar nga Prizreni është arrestuar sot në pikën kufitare…