
Guvernatori Ismaili takohet me presidentin e Bankës Botërore, flasin për forcimin e bashkëpunimit strategjik
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka takuar presidentin e Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, në kuadër të takimeve pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Gjatë diskutimit, guvernatori Ismaili dhe presidenti Banga vlerësuan lartë partneritetin e shkëlqyeshëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore, duke u përqendruar në progresin e projekteve në vijim që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Guvernatori Ismaili mirëpriti vazhdimin e bashkëpunimit me Bankën Botërore, duke theksuar rëndësinë e asistencës teknike dhe mbështetjes strategjike në funksion të avancimit të kapaciteteve institucionale të BQK-së.
Ai shprehu mirënjohje të thellë për rolin e Bankës Botërore në avancimin e reformave kyçe dhe iniciativave për ndërtimin e kapaciteteve që janë në përputhje me objektivat afatgjata të institucionit.
Një moment i rëndësishëm ishte edhe arritja e statusit të ri të Kosovës si kontribuues në Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) – një arritje e rëndësishme që pasqyron rolin gjithnjë më aktiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe përkushtimin e saj ndaj zhvillimit global.
Guvernatori Ismaili shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe rikonfirmoi përkushtimin e institucionit për të thelluar më tej bashkëpunimin në vitet në vijim.
Guvernatori i BQK-së ka takuar edhe drejtorin e Departamentit për Tregjet Monetare dhe të Kapitalit (MCM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Tobias Adrian, rikonfirmon bashkëpunimin strategjik në forcimin e stabilitetit financiar.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili dhe Adrian diskutuan mbi zhvillimet aktuale ekonomike globale dhe patën një dialog konstruktiv mbi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe të vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe Departamentit MCM të FMN-së.
Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në fusha si mbikëqyrja e bazuar në rrezik për sektorin financiar, parapërgatitja për rastet e krizave, siguria kibernetike dhe zbatimi i standardeve me te mira ndërkombëtare.
Në takim u theksua se BQK-ja mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë FMN-në, në ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të gatshëm për të ardhmen.