
Guvernatori Ismaili takon drejtorin e Autoritetit të Tregut Financiar të Austrisë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, gjatë vizitës së tij zyrtare në Vjenë, u prit nga Helmut Ettl, Drejtor i Autoritetit të Tregut Financiar (FMA) të Austrisë. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me diskutime që mbuluan mbikëqyrjen bankare, të fondeve pensionale dhe të sigurimeve, mekanizmat e përmbylljes, si dhe rregullimin e kripto-aseteve dhe inovacioneve të tjera financiare.
Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke theksuar reformat në mbikëqyrjen bankare dhe të sigurimeve, kornizat e përmbylljes, digjitalizimin e shërbimeve financiare, qasjen rregullative ndaj kripto-aseteve dhe zhvillimin në proces të kornizës për tregun e kapitalit.
Diskutimet eksploruan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e Marrëveshjes aktuale të Mirëkuptimit (MoU) edhe në mbikëqyrjen bankare dhe të pensioneve, përmbylljen, stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e kripto-aseteve.
U theksua rëndësia e asistencës teknike dhe shkëmbimit të njohurive në fusha si zbatimi i Solvencës II, mbikëqyrja e pensioneve bazuar në rrezik, mbrojtja e konsumatorit dhe mbikëqyrja e praktikave të tregut, si dhe menaxhimi i rreziqeve ESG për mbikëqyrjen e sigurimeve dhe pensioneve, duke u mbështetur në ekspertizën e FMA-së.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e gjatë dhe të shkëlqyer me autoritetet mbikëqyrëse austriake, përfshirë FMA-në dhe Bankën Kombëtare të Austrisë, duke vënë në pah kontributin e tyre të çmuar në forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të BQK-së dhe në mbështetjen e stabilitetit financiar në Kosovë.
Nga ana e tij, Ettl rikonfirmoi përkushtimin e FMA-së për të mbështetur BQK-në në avancimin e mandatit të saj. Ai nënvizoi gatishmërinë e Autoritetit për të ofruar asistencë teknike dhe mbështetje për ngritje kapacitetesh, veçanërisht në harmonizimin e kornizës ligjore dhe rregullative të BQK-së me standardet e Bashkimit Evropian (BE).
“BQK mbetet e përkushtuar të forcojë më tej bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me autoritetet mbikëqyrëse evropiane dhe kombëtare, duke ndërtuar në mënyrë proaktive kapacitete për mandatet e saj aktuale dhe të zgjeruara në kripto-asete dhe tregjet e kapitalit, për të avancuar dhe harmonizuar kornizën rregullative me standardet e Bashkimit Evropian dhe kështu për të kontribuar në stabilitetin financiar”, njofton BQK.