Guvernatori Ismaili thekson angazhimin e BQK-së për modernizimin e sistemit të pagesave në Kosovë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ishte folës në Konferencën e 16-të Ndërkombëtare mbi Pagesat dhe Infrastrukturat e Tregut, me temën “Rikrijimi i Pagesave për Epokën Digjitale”, organizuar në Ohër nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut (NBRM) dhe Banka Qendrore e Holandës (DeNederlandsche Bank).
Fokusi i konferencës ishte diskutimi mbi forcimin e kuadrit financiar drejt integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) përmes lidhjes së infrastrukturës së pagesave të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij në panelin “Realizimi i SEPA-s para anëtarësimit në BE: Përafrimi i infrastrukturës, rregulloreve dhe inovacionit” me pjesëmarrjen e guvernatorëve të rajonit dhe përfaqësuesve të Bankës Botërore, Guvernatori Ismaili nënvizoi angazhimin e BQK-së për modernizimin e sistemit të pagesave në Kosovë, forcimin e infrastrukturës financiare dhe përgatitjen për integrim të plotë në SEPA, si pjesë e procesit të afrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Duke u ndalur në aspektin teknik dhe të tregut, guvernatori Ismaili theksoi se bankat dhe institucionet financiare në Kosovë tashmë zbatojnë formatin IBAN si dhe përdorin standardin ISO 20022 nga implementimi i RTGS.
Ai shtoi se përfitimi më i madh tashmë i dukshëm në rajon dhe në Kosovë lidhet me hapjen e tregut për akterë të rinj FinTech në fushën e pagesave, çka ka nxitur rritjen e konkurrencës dhe interesit për inovacion.
Megjithatë, guvernatori Ismaili theksoi se sfidë mbetet sigurimi i përputhjes së plotë operacionale me direktivat PSD2 dhe PSD3, forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), si dhe garantimi që industria e pagesave të jetë në përputhje me standardet evropiane.
Duke folur për modernizimin e mëtejmë të infrastrukturës së pagesave, guvernatori Ismaili bëri të ditur se BQK-ja ka integruar procesin e SEPA-s në një strategji më të gjerë të transformimit të pagesave.
Ai nënvizoi se projekti TIPS Clone, përbën shtyllën teknologjike të kësaj strategjie, e cila do të mundësojë pagesa të menjëhershme në nivel kombëtar dhe ndërkufitar me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Duke falënderuar organizatorët për këtë konferencë të rëndësishme, guvernatori Ismaili vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me bankat qendrore dhe autoritetet rregullatore të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, si dhe kontributin e institucioneve ndërkombëtare në përkrahje të modernizimit të sistemit të pagesave të Kosovës.



