Guvernatori Sejko dhe misioni i FMN: Turizmi është sektori që do të ndikojë më shumë në rimëkëmbjen ekonomike

10 mars 2021 | 12:18

Në kuadër të monitorimit post programor Guvernatori Gent Sejko dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, zhvilluan takimin përmbyllës online me Misionin e FMN-së në Shqipëri të përfaqësuar nga Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Sipas njoftimit diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, pikëpamjet mbi perspektivat makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar dhe çështjet e sistemit bankar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe përgjigjet e autoriteteve rregullatore në këtë drejtim, si dhe pritshmëritë për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.

Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare gatë gjysmës së parë të vitit 2020 ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë dhe ambientit të pafavorshëm të huaj, megjithatë aktiviteti ekonomik në vend ka shfaqur tendenca rikuperimi në gjysmën e dytë të vitit.

Ndërkaq lidhur me sektorin bankar në vend, Guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit e të shëndetit financiar. Ai nënvizoi se ky sektor ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë, duke marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, si dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjithë treguesit në parametra të shëndetshëm.

Guvernatori Sejko shtoi se tregjet financiare kanë vijuar të funksionojnë normalisht: kursi i këmbimit paraqitet i qëndrueshëm; normat e interesit mbetën pranë minimumeve të tyre historike;  dhe kreditimi është rritur dhe në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit. Ai theksoi se vijimi i rolit aktiv të sektorit bankar edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë një element kyç në qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike, shkruan “scantv”.

Më tej, Guvernatori u shpreh se në përgjigje të krizës së krijuar nga pandemia dhe për të zbutur efektet negative të saj, të gjithë aktorët publikë në vend morën masa ekonomike të koordinuara në aspektin fiskal, monetar dhe makroprudencial. Rikuperimi i ekonomisë u ndihmua nga stimuli fiskal i transmetuar gjatë vitit 2020 dhe nga politikat stimuluese monetare dhe financiare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike.

Banka e Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar ndanë të njëjtat parashikime lidhur me perspektivën ekonomike dhe me ecurinë e PBB-së, e cila pritet të rimëkëmbet gradualisht në vitet 2021 dhe 2022, ku një ndër sektorët që pritet të ketë një kontribut të lartë në këtë drejtim është ai i turizmit po ritmi i rimëkëmbjes do të varet nga evolucioni i pandemisë dhe shpejtësia e vaksinimit të popullsisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjyqtari Albert Zogaj nga Gjykata Supreme dhe gjyqtarja Teuta Ibrahimi…