
Haaland: Dua të jem si Benzema
Erling Haaland është ambicioz, ai kërkon të bëhet sulmuesi më i mirë në planet, por e ka të qartë se duhet të punojë shumë, sakrifikojë dhe të ketë durim për t’ia dalë.
Sulmuesi norvegjez u transferua këtë verë nga Borussia Dortmund te Manchester City për 60 milionë euro.
Deri tani ka shënuar tre gola në tre ndeshjet e para në Premier League.
22-vjeçari norvegjez dëshiron të përmirësohet nga viti në vit, teksa në prononcimin për “Four Four Two” merr si shembull Karim Benzema, i cili po kalon një rini të dytë te Reali dhe është kandidati kryesor për fitimin e “Topit të Artë”.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por di që kanë rëndësi të madhe mësimi i gjërave të reja dhe zhvillimi si lojtar. Përpjekja për t’u përmirësuar nuk duhet ndalur kurrë. Shihni Karim Benzema: ai është 34 vjeç dhe papritmas është zhvilluar shumë vitet e fundit duke u kompletuar si futbollist.
Është ‘çmenduri’, është jashtëzakonisht e bukur ajo që ka ndodhur me Benzema, edhe unë dua të jem i tillë. E kam ndjekur Premier League përpara se të vija këtu. Vitet e fundit ka gjithnjë e më pak numra 9, qendërsulmuesit po rrallohen.
Gjithmonë kam dashur të jem sulmues pasi është pozicion që të mundëson të bësh lëvizjen e fundit dhe të shënosh, më pëlqen ky rol”, deklaroi bomberi viking, i cili shpreson të realizojë sa më shumë gola në sezonin e parë me kampionët e Anglisë, të cilët kërkojnë mbrojtjen e titullit dhe sidomos triumfin në Champions League, trofe që City nuk e ka fituar kurrë.