
Hadërgjonaj i kundërpërgjigjet Lladrovcit: Kur pengohej ekzistenca e PDK-së në Deçan, ku ishe ti, Ramiz?
Kryetari aktual i Drenasit dhe kandidati edhe për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, mbrëmë në Debat Plus në RTV Dukagjini – duke komentuar vendimin e votimit të Kryesisë së PDK-së për mosvotimin e kandidaturës së tij për Drenasin, ka përmendur emrin e ish-deputetes, anëtares së Kryesisë së PDK-së, Safete Hadergjonaj, se: “në kryesi të PDK-së ka edhe anëtar kryesie me 185 vota si dega në Deçan”.
E në lidhje me ketë, ka reaguar sot në “Facebook”, Safete Hadërgjonaj.
Ajo ia ka bërë me dije Lladrovcit se pesë herë ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës dhe se në çdo kuvend të partisë kam dalë një nga gratë më të votuara me votë të fshehtë të delegatëve të partisë nga e gjithë Kosova.
“Po, Ramiz unë jam anëtarja e kryesisë së PDK-së për 23 vite me radhë, sepse në çdo kuvend të partisë kam dalë një nga gratë më të votuara me votë të fshehtë të delegatëve të partisë nga e gjithë Kosova. Jam një nga anëtarët me të devotshëm që kam punuar dinjitetshëm në PDK që nga viti 1999 kur është themeluar partia. Kam dhënë kontribut në themelimin e PDK-së, GDK-së, RDK-së anë e mbanë Kosovës. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata anëtarë të partisë që kanë vlerësuar punën time duke më votuar në strukturat e partisë dhe pesë herë ma kanë mundësuar me qenë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të dhënë kontributin politik e profesional në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Hadërgjonaj ia ka kujtuar Lladrovcit angazhimin e saj në PDK që nga themelimi, sidomos për angazhimin e saj në Deçan, kur Lladrovci në një mënyrë ofendon ata votues të PDK-së.
“Në shkurt të vitit 2000 kemi themeluar PDK në Deçan bashkë me njerëz me plotë bagazh atdhetar e profesional. Jam mirënjohëse deri në pafundësi për themeluesit e degës dhe për të gjithë ata të rinj e të reja që na u bashkëngjiten gjatë rrugëtimit duke i dhënë frymë PDK në Deçan. Kur ne si degë jemi përballur e me çfarë nuk jemi përballur në një komunë tradicionale dhe bastion të një subjekti tjetër politik siç ishte AAK, ku ishe ti Ramiz??? Ishe pjesë e AAK-së, subjektit që në atë kohë ushtronte lloj-lloj presioni që mos të ketë PDK në Deçan. Por ne nuk jemi thye, sfidat i kemi shndërruat në mundësi e vështirësitë në vullnet për punë me bindjen se vetëm me PDK do të kemi shtetformim dhe shtetndërtim”.
“Unë ndihem mirë që bashkë me anëtarët tjerë të degës së PDK në Deçan, i kemi mundësuar PDK-së me pas shtrirje në krejt Kosovën e mos me qenë parti regjionale dhe kemi kontribuar që projektet zhvillimore për Komunën e Deçanit të trajtohen me prioritet kur kemi qeverisë me vendin për interes të qytetarëve të Deçanit. Po ndihem mirë edhe kur po ma përmend emrin në media, sepse jam një nga ata anëtarët e kryesisë që nuk i frikësohem marrjes së vendimeve të vështira, jeta dhe veprimtaria në interes të vendit kështu më ka mësuar. Punoj pa u lodhur edhe sot që PDK-ja në këto zgjedhje lokale të kthejë traditën e fitoreve nëpër komuna, sepse siç thoshte kryetari ynë i nderuar Kadri Veseli ‘Kur ndalet PDK ndalet Kosova’. Na priftë e mbara #PDK191!”, ka shkruar anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Safete Hadërgjonaj.