Hadergjonaj thotë se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm kur është arrestuar nga Specialja
Dëshmitarja Safete Hadergjonaj, ka thënë se për Pjetër Shalën, ka dëgjuar vetëm atëherë kur ai është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).
Po ashtu, Hadergjonaj ka thënë se i është dukur qesharake kur e ka marrë ftesën si dëshmitare në këtë proces, për një person që kurrë nuk e kishte parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Personin Pjetër Shala, emrin e tij për herë të parë dhe figurën e Pjetër Shalës e kam pa atë ditë që e kanë arrestuar Dhomat e Specializuara. Kurrë përpara nuk e kam pa, as kurrë nuk e kam dëgjuar emrin e tij. Kështu që kur kam marrë ftesën nga gjykata që e kam hapë ftesën dhe e kam pa që do të marrë pjesë në procesin si dëshmitare për Pjetër Shalën, ka qenë edhe e befasishme dhe qesharake sepse ish një njeri që kurrë në jetën time nuk e kam parë”, ka thënë Hadergjonaj.
E pyetur se a ka dëgjuar për ndonjë person me pseudonimin “Ujku”, dëshmitarja Hadergjonaj është përgjigjur: “Asnjëherë, kurrë”.



