
Hadergjonaj: Vit i tmerrshëm për Kosovën, ta harrojmë sa më shpejtë
19 nëntor 2020
| 15:57
Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Florent Hadergjonaj ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të folur rreth edicionit të dështuar të “dardanëve” në Ligën e Kombeve.
Kosova e mposhti në ndeshjen e fundit Moldavinë, duke e regjistruar fitoren e vetme në gjashtë ndeshjet e zhvilluara. Se edicioni i Ligës së Kombeve dhe ky vit ishte i dështuar për Kosovën e mendon edhe mbrojtësi Hadergjonaj.
“Ishte një vit i tmerrshëm që duam ta harrojmë sa më shpejtë”, ka shkruar Hadergjonaj në profilin e vet në “Facebook”. “Mirë që fituam, pasi na shërben për ta ngritur moralin dhe entuziazmin. Tani shpresojmë të vazhdojmë me fitore. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e madhe që na keni dhënë”, ka shtuar Hadergjonaj.