Hajdar Beqa me mesazh përmbyllës nga Gjakova: Bashkë e nisëm, bashkë do ta çojmë përpara

12 tetor 2025 | 01:08

Ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka publikuar një mesazh përmbyllës drejtuar qytetarëve të Gjakovës në prag të ditës së zgjedhjeve, duke falënderuar qytetarët, kandidatët dhe aktivistët për angazhimin gjatë fushatës elektorale.

Në postimin e tij, Beqa thekson se fushata e PDK-së në Gjakovë është zhvilluar me respekt, përkushtim dhe vizion të qartë për të ardhmen e qytetit.

“Fushata jonë po përmbyllet, por rrugëtimi ynë sapo ka filluar. Gjatë këtyre ditëve kemi qenë pranë njerëzve tanë, në çdo lagje, çdo fshat, çdo shtëpi, duke dëgjuar me vëmendje hallet, idetë dhe pritjet e qytetarëve të Gjakovës”, ka shkruar Beqa.

Ai ka falënderuar kandidatët për Asamblenë Komunale, aktivistët dhe simpatizantët për punën dhe përkushtimin e tyre të palodhshëm gjatë gjithë fushatës.

Në fund të mesazhit, Beqa u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjakovës që të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin kandidatin për kryetar të komunës, Ervin Shabani, si dhe listën e PDK-së me numrin 191.

“Tani është momenti më i rëndësishëm – dita e vendimit. Le të dëshmojmë se Gjakova e di të zgjedhë drejt, se e njeh vlerën e punës, seriozitetit dhe besueshmërisë. Bashkë e nisëm, bashkë do ta çojmë përpara”, përfundon reagimi i Beqës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Shqipërisë shënoi një fitore të madhe në Leskovc…