
Hajdari: Milionat për Kryetarin, varfëri për qytetarin – Ftoj Prokurorinë të nisë urgjentisht hetimet!
Dje, opinioni publik dhe komuna jonë u shokuan nga një audio-incizim tronditës, ku kryetari në largim i Drenasit dëgjohet duke bërë pazare me tokat e komunës sikur të ishin pronë e tij personale, duke llogaritur miliona euro përfitime mbi pasurinë publike.
Ai që thirrej në qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit. Ky është skandal i paprecedentë. Ky është turp institucional. Ky është abuzim flagrant me detyrën publike dhe me pronën e qytetarëve. Tokat e Drenasit janë pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë, jo bankë private e askujt – e aq më pak e kryetarit që ishte i obliguar t’i mbronte ato.
Ndërkohë që në incizim dëgjojmë pazare me shifra marramendëse përfitimi – 20 milionë, 15 milionë, 7.5 milionë euro – qytetarët e Drenasit ende nuk kanë ujë të pijshëm. Duket kriminale që disa persona rreth Kryetarit në largim të bëhen milionerë për një natë, ndërsa mijëra qytetarë tanë luftojnë çdo ditë për ta lidhur muajin me muaj.
Ky kontrast është fyerje e drejtpërdrejtë për çdo familje të komunës tonë. Dhe nëse brenda pak minutave dëgjojmë miliona që ndërrojnë vend, imagjinoni sa pazare të tjera janë bërë gjatë 10 viteve të fundit, larg syve të qytetarëve! Nuk është se s’kishte dyshime, vetëm se tani po e dëgjojmë me veshët tanë.
Prandaj, ftoj organet e drejtësisë që të marrin menjëherë këtë rast në shqyrtim, ta hetojnë deri në fund dhe t’i nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën dhe me besimin e qytetarëve. Ky është detyrim ligjor e moral dhe çdo vonesë është bashkëfajësi.
Është e dhimbshme që gara për komunën tonë po ndotet me skandale të tilla. Por, askush nuk mund të presë prej meje heshtje përballë këtij turpi. Ai që veten e quan “kampion”, vërtetë po del të jetë kampion i pazareve dhe abuzimeve me prona publike.
Unë jam i vendosur që ta kthej Drenasin tek qytetarët. Dera e PDK-së është e hapur për të gjithë ata që nuk kanë të bëjnë me pazare, abuzime e skandale – për njerëzit e ndershëm që duan ta shohin Drenasin të ecë përpara. Tek ata që duan zhvillim, dinjitet dhe transparencë.
Kjo komunë nuk është pazari i askujt – kjo është shtëpia jonë e përbashkët dhe më 12 tetor do të fillojë të qeveriset si e tillë. Për këtë ua jap fjalën time!
I juaji,
Petrit E. Hajdari