Hajdari pas marrjes në pyetje për rezervat shtetërore: Si hyri prokuroria në ministri për dokumente sekrete?

31 korrik 2025 | 12:26

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka përfunduar intervistimin në Prokurorinë Speciale të Kosovës në lidhje me hetimet për rezervat shtetërore, një çështje që kishte shpërthyer si skandal publik në gusht të vitit 2023, kur disa zyrtarë të kësaj ministrie kishin përfunduar në pranga për dyshime për keqpërdorime.

Pas intervistimit, Hajdari ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së zhvillimit të hetimeve. Ajo ka thënë se ministria kishte vepruar në përputhje me ligjin në procesin e furnizimit me rezerva shtetërore në fillim të vitit 2022, në një periudhë të ndjeshme për vendin.

“Sot isha e ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistë, për kontraktimin e rezervave shtetërore proces jetik për të gjithë ne, proces i rëndësishëm për popullatën tonë. Ministria ka bërë blerjen e rezervave shtetërore në kohën kur ishim të pambrojtur, në shkurt 2022 dhe mars 2022. Për këtë proces jetik tani pyetem nga Prokuroria Speciale, por një pyetje vjen se a është ky proces i ligjshëm dhe si prokuroria hyri në ministri për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së dhe Agjencisë për mbrojtje të klasifikuara. Ne si ministri i kemi klasifikuar vendet sekret sipas Ligjit për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara, sipas nenit të rezervave shtetërore, por në realitet Prokuroria Speciale bëri një gabim si një hap të pamenduar mirë duke dërguar dy policë hetues pa certifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në ministri. Këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor, me raportin informues që dy policët hetues shkuan në ministri pa certifikatë sigurie të nivelit sekret. Ky raport nga Inspektorati Policor u dërgua edhe në Prokurorinë Speciale, për udhëzime dhe veprime të mëtejme ndaj këtyre dy policëve. Në realitet, prokurori Gashi i cili po merret me këtë lëndë ka liruar nga përgjegjësia këta dy policë dhe vetë prokuroria po shkel ligjin. Prokurori Gashi vetë po autorizon dhe vetë po liron nga përgjegjësia policët e pacertifikuar me certifikate sigurie të nivelit sekret. Për më shumë, më vjen keq dhe turp se asnjëherë për këtë proces nuk është raportuar drejt”.

“Më vjen turp edhe për veprimet e Gashit për shkeljen e ligjit. Për më shumë, ne si ministri kemi iniciuar një hetim të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të iniciuar një hetim dhe për të ardhur në konstatim të kësaj shkeljeje të këtij konflikti të interesit, sepse e kemi te dokumentuar në raportin e Inspektoratit Policor në e-mailin e dokumentar, ku prokurori Gashi pranon konfliktin e interesit për të shqyrtuar këtë raport të IP-së, për më keq Prokuroria Speciale vetë i njëjti prokuror mbyll rastin. Unë e di që pas këtij hetimi nga Agjencia për Parandalimin e konfliktit ne do të përballemi në gjykatë”, ka thënë Hajdari.

Rasti në fjalë kishte marrë vëmendje të madhe në gusht të vitit 2023, kur ishin arrestuar disa persona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkëndija e Tetovës, kanpione e Maqedonisë së Veriut ka shkruar…