Hajdari për Lladrovcin: Viktimë s’është PDK – Nisja punës, mos bëj skena

16 tetor 2025 | 12:06

Kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari, ka reaguar me një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe thumbuese ndaj Ramiz Lladrovcit, pas paraqitjes së këtij të fundit në një ambient që u prezantua si zyrë e PDK-së.

“Nuk është ‘kthyer’ z. Lladrovci në zyrat e PDK-së sepse zyrat e PDK-së nuk janë aty. Ai lokal është pronë private e familjarit të vet,” deklaroi Hajdari, duke shtuar se “atë ambient ai mund ta përdor për subjektin e vet politik e nëse do, mund ta inkorporojë edhe Vetëvendosjen që i ndihmoi në zgjedhje, por ato zyre veç të PDK-së nuk janë.”

Ai tha se PDK ka humbur zgjedhjet dhe tash është në opozitë, por se kjo nuk do të thotë që dikush tjetër mund ta përvetësojë partinë:
“PDK sot në Drenas është në opozitë. Kaq e thjeshtë është. Tjerat janë manipulim i pastër.”

Për paraqitjen e Lladrovcit në emisionin “Pressing”, Hajdari u shpreh se qytetarët më në fund e panë të vërtetën:
“Sjellja e tij prej arroganti mbrëmë në emisionin Pressing tregon që ai imazh prej viktime që e kultivoi gjatë fushatës me ndihmë të pashpjegueshme mediale, ishte veç farsa e një identiteti tjetër – atij të grabitçarit manipulant që është në gjendje të bëjë gjithçka për pak spektakël e pak pushtet.”

Ai gjithashtu reagoi ndaj gjuhës së përdorur nga Lladrovci ndaj gazetarëve:
“Qytetarët e panë dje që kanë votuar për dikë të cilit kur i bëhen pyetje që s’i pëlqejnë, në stilin e Albin Kurtit i kthehet gazetarëve me linçim. ‘I pitë’, ‘i paguar’ e terma që s’i bëjnë nder askujt.”

Në deklaratën e tij, Hajdari tha se ai e ka uruar Lladrovcin menjëherë pas zgjedhjeve, por theksoi se fitorja nuk i jep të drejtë për të uzurpuar gjithçka:
“Ne kemi garuar për kryetar komune, jo për degën e PDK-së. Ai nuk është PDK. Këtë nuk e ndërron rezultati zgjedhor.”

Duke ironizuar akuzat për mungesë kontributi, Hajdari tha:
“Nuk matet kontributi me ‘a ka pru libra’. Ku po e din a kam sjellë libra, kur s’e lexon asnjë?”

Ai e mbyll deklaratën me një mesazh të qartë për Lladrovcin:
“Nisja punës e mos bëj skena, z. viktimë!”

https://www.facebook.com/share/p/1ZCa9Sa4vF/?mibextid=wwXIfr

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka…