Hajdari takon asamblistët e PDK-së në Drenas: Opozitën do ta bëjmë me nder e dinjitet, siç i ka hije PDK-së
Kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari, ka takuar kryesinë e partisë dhe kandidatët e Kuvendit Komunal. Ai ka deklaruar se opozitën do ta bëjnë me nder e dinjitet, ashtu siç i ka hije Partisë Demokratike të Kosovës.
Njoftimi i plotë i Hajdarit:
Në takim me kryesinë e degës së PDK-së në Drenas dhe me kandidatët tanë për Kuvendin Komunal, diskutuam për zhvillimet e fundit dhe zgjodhëm kryetarin e grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal.
Dëshmi e përkushtimit tonë për Drenasin e për PDK-në është që opozitën në Drenas do ta bëjmë me nder e dinjitet siç i ka hije PDK-së. Këtë parti politike e kemi adresë të angazhimit të cilin nuk e kushtëzojmë me pushtet.
PDK-ja e Drenasi nuk duhen veç kur të japin pushtet, por edhe kur duhet të punojmë, qoftë edhe nga disavantazhi i opozitës, për këtë qytet.
Çdo rrugë tjetër në politikë është e pakuptimtë.
I falenderoj të gjithë ata që besuan e u angazhuan. Është e vërtetë që rezultati nuk ishte ai që prisnim, por përgjegjësia për këtë më takon mua e jo qytetarit. Do të punojmë për ta sjellë edhe PDK-në edhe Drenasin në lartësinë që e meriton.
Falemnderit të gjithëve!
Petrit E. Hajdari




