Hajdin Abazi: Regjimi jugosllav kur nuk na thyente dot, na dënonte me burg

28 qershor 2020 | 11:50

Ish-i burgosuri politik, e ambasadori i tanishën Hajdin Abazi, qe gjatë luftës njihej si ‘Lum Haxhia’, përmes ‘Facebook’, ka kujtuar kohën kur para 40 vitesh nga regjimi jugosllav i asaj kohe ishte arrestuar e dënuar nga gjykatat serbe, përshkak të veprimtarisë armiqësore.

Postimi i plotë i Hajdin Abazit:

Sot, tërë ditën mendja më është kthyer pas në kohë, në qershorin e vitit 1980, kur me pranga në duart e mia rinore më futën në një gjykatë të regjimit serb.

8 muaj hetuesi me dhunë të tmerrshme fizike dhe terror psikologjik ndaj nesh qindra të rinjve e të rejave, për ta shuar kundërshtimin ndaj shtypjes e diskriminimit të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Kur nuk na thyen dot, na dënuan me burg, disa me 3-6 muaj, disa me 2 vjet e mua me 4 vjet burg, sepse në vitet 1976-1979 ishim bashkuar për të shprehur pakënaqësi ndaj shtypjes së egër politike nga Beogradi.

Asokohe kam pas menduar se organizimi i tillë për veprime paqësore si shkrimi i parullave, pamfleteve dhe protestave, përnjëmend është “vepër kriminale”. Por kur për shkak të përndjekjes politike nga Serbia emigrova në Europë, e kuptova se organizimet e tilla ishin e drejtë qytetare dhe askush nuk dënohej për vepra të tilla, madje garantoheshin me ligj bashkimet e lira qytetare paqësore për të protestuar, organizuar demonstrata e mitingje për të shprehur pakënaqësi.

Serbia jo vetëm nuk kërkoi kurrë falje për krimet politike ndaj mijëra të rinjve të arrestuar e dënuar politikisht, por me burgosjet masive të vitit 1979, si edhe më parë, tregoi se po rifillonte dhunën sistematike kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavi, me epiqendër Kosovën.

I kujtoj me respekt e mirënjohje të gjithë bashkëveprimtarët e asaj kohe!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, përmes një komunikate për media,…