Hajnat plagosin një polic në Veternik

18 dhjetor 2020 | 08:09

 

Një zyrtar policor është plagosur mëngjesin e së premtes nga disa hajna që kishin shkuar për të vjedhur bankomatin e një qendre tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.

Lajmin e ka dhënë Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës në një përgjigje për Express.

Të njëjtët bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 05:30 minuta.

Policia, sipas njoftimit, ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka pasur të shtëna me armë zjarri. “Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.

Me të marrë informatën policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë  kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Aktualisht  policia është në vendin e ngjarjes dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar  me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i PK-së në Prishtinë, Agron Borovci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherësh anëtare e kryesisë e Lëvizjes…