Hajrulla Çeku: Të gjithë janë bërë bashkë, por s’do t’i lejojmë të ndalin ndryshimin
Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, ka thënë se të gjitha partitë tjera janë bërë bashkë për ta mbështetur Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në balotazhin e së dielës.
“Janë sërish bashkë jo për Prishtinën, por për veten e tyre. Ata nuk ndahen kurrë për interesa. Janë bashkë në prapaskenë, në tenderë, në poste e tash bashkë kundër ndryshimit, por s’do të lejojmë”, ka thënë Çeku në fjalimin e tij përmbyllës të fushatës.
Ndërkaq edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalimin e tij ka kritikuar Ramën duke thënë se tash Prishtina është “qytet që po ndien peshën e katër vjetëve të humbura.
“Punët e nisura nuk janë përfunduar, premtimet e dhëna nuk janë parë e qytetari është lodhur nga justifikimet e dobëta dhe ankesat e palogjikshme. Ka pasur mundësi të mëdha fonde të mjaftueshme e vëmendje kombëtare por gjithçka është humbur mes mungesës së planit, tepricës së arrogancës, diletantizmit kronik dhe orekseve financiare të drejtuesve të saj”, ka thënë ai.
Në raundin e parë zgjedhor, më 12 tetor, Rama i LDK-së që synon edhe një mandat doli i pari në garën për kryetar të Prishtinës me 35 mijë e 595 vota, rreth 500 vota më shumë se Çeku.
PDK-ja që doli e treta me rreth 27 për qind të votave nuk është deklaruar publikisht për mbështetje të ndonjë kandidati, ndonëse është raportuar se po e mbështet Ramën.
Rama ka siguruar publikisht mbështetjen e AAK-së që doli e katërta me 3 për qind.



