Halil Matoshi: Kosovës i duhet president konsensual për ndarjen e përgjegjësisë
Komentatori politik Halil Matoshi ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një shpërndarje më të drejtë të përgjegjësive institucionale dhe për zgjedhjen e një presidenti ose presidenteje konsensuale. Sipas tij, sistemi politik i ndërtuar që nga 17 shkurti nuk po respektohet sa duhet, pasi pushteti nuk mund t’i takojë vetëm një partie politike.
Matoshi theksoi se ndërtimi i shtetit të Kosovës është planifikuar në atë mënyrë që brenda treshes së posteve kryesore publike në vend – president, kryeministër dhe kryetar kuvendi – së paku njëri prej tyre t’i takojë një subjekti tjetër politik, apo të jetë figurë konsensuale.
Ai shtoi se presidenti konsensual mund të vijë nga bota akademike, shoqëria civile apo nga figurat jopolitike në vend, duke theksuar se një qasje e tillë do të forconte funksionimin demokratik të institucioneve dhe unitetin politik në vend./Gazeta 10



