
Haliti: Është përgatitur që të ‘gatuhet’ diçka, do të ketë surpriza befasuese nesër në Kuvend!
Sot ka dështuar për herë të 52-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Ndryshe nga herët e tjera, prezentë në sallë ishin edhe përfaqësuesit më të lartë diplomatikë në Kosovë.
E nesër pritet të mbahet seanca e radhës, e fundit brenda afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Por çfarë pritet të sjellë 26 korriku, a mund të kemi zhvillime pozitive nga Kuvendi?
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, zyrtari i lartë i PDK-së dhe politikani, Xhavit Haliti.
Haliti tha se nesër pritet të ketë surpriza befasuese në Kuvend.
Ai theksoi se ‘Si duket për nesër është përgatitur që të gatuhet diçka që mos t’i djegin mandatet e tyre deputetët’.
“Tani kurë të gjithë prisnin, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët, të cilët dolën nga seanca të zhgënjyer nga klasa politike e Kosovës, të çuditur nga kjo papërgjegjëshmëri ndaj vendit e popullit, jo vlerësues ndaj atyre që e fituan e atyre që na ndihmuan ta fitojmë lirinë e ta konsolidojmë pavarësinë. Është e vështirë të parashikosh se çfarë mund të ndodhë nesër. Megjithatë, mendojë që 80% e të zgjedhurve janë lodh nga këto akrobacione, krejtësisht pa ndonjë vlerë për të ardhmen e vendit. Si duket për nesër është përgatitur që të gatuhet diçka që mos t’i djegin mandatet e tyre deputetët. Ajo që mund të ndodhë nesër, shpresoj të jetë zgjidhje që mos të shkohet në zgjedhje. Megjithatë, besoj që do ketë surpriza befasuese”, tha Haliti.
Haliti uroi që nesër të ketë marrëveshje dhe mbarësi për Kosovës.
“Prandaj uroj që nesër të jetë ditë e shënuar për deputetët dhe mandatet e tyre. Por dua t’ua përkujtoj që mandatet i kanë marrë për ti shërbyer interesave të vendit e jo klikave kuazi politike, të cilat janë instaluar nëpër parti. Është krenari ta fitosh mandatin e deputetit për ti shërbyer interesave të vendit, por kur ky mandat ndryshon destinacionin për çfarë është marrë nga populli, nga dhurimi e besimi, mund të shëndrrohet në mallkim”.
“Kushdo që interesin personal e klanor, e vendosë mbi interesat e Kosovës, duhet ti kthehet biznesit e profesionit. Uroj që nesër të ketë marrëveshje dhe mbarësi për Kosovën” tha Haliti në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.