Haliti i quan zgjedhjet e 12 tetorit më të pakuptimtat: Beteja për Drenasin, më e ndjekura nga qytetarët

07 tetor 2025 | 16:58

Zyrtari i lartë i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se zgjedhjet e 12 tetorit do të jenë më të pakuptimtat ndonjëherë në Kosovë, për shkak të krizës parlamentaro-qeveritare.

Në një prononcim për “klankosova.tv”, ai ka thënë se beteja për Drenasin ka shndërruar këtë garë në një shou mediatik, megjithatë vlerëson se mbetet më e ndjekura nga qytetarët.

“Dymbëdhjetë tetori do të jetë sfidë për partitë politike. Këto zgjedhje janë më të pakuptimtat që kanë ndodhur ndonjëherë, sepse po ndodhin në kushte të jashtëzakonshme të shkaktuar me krizën parlamentaro-qeveritare”.

“Kur institucionet qendrore bllokohen, atëherë ato lokalet s’e kanë entuziazmin e duhur përveç partiakëve të thekur, që po marrin pjesë në tubime, të tjerët po shohin e dëgjojnë me plot mosbesim kandidatët me premtimet e tyre që kandidojnë për t’iu shërbyer qytetarëve të komunave të Kosovës. Deri tani beteja më e ndjekur nga qytetarët e gjithë Kosovës, është beteja për Drenasin, e cila është shndërruar jo vetëm në betejë por edhe në shou mediatik”, ka thënë Haliti.

Ndër tjera ai ka komentuar edhe nëse do të ketë thyerje bastionesh nga zgjedhjet e 12 tetorit.

“Besoj se të gjitha partitë që po konkurrojnë e dinë ose shpresojnë që bastionet e tyre do t’i mbajnë dhe do ta fitojnë edhe ndonjë komunë shtesë në komunat që do të shkojnë në balotazh. Tani qytetari i Kosovës edhe votuesi i njeh të gjithë konkurrentët, vendimi është i secilit prej nesh. Uroj që nga mosbesimi i krijuar të mos ketë sabotim, por t’i zgjedhim njerëzit e duhur”.

“Fatkeqësisht Ligjet e Kosovës e as Kushtetuta nuk është tërësisht e qartë dhe nuk e ka tagrin që me vendimet e tyre të obligojnë deputetët. Gjykata Kushtetuese po përpiqet ta lehtësojë e moderojë procesin për krijimin sa më shpejtë që është e mundshme të Qeverisë së Kosovës. Por mosbesimi që po shprehet publikisht ndaj saj ka bërë që një pjesë e qytetarëve dhe kryesisht eksponentët e LV-së t’i marrin me rezervë e t’i kundërshtojnë vendimet e saj, bile ta quajnë edhe ‘Gjykatë Kushtetuese të partive opozitare’, që për një vend demokratik e me orientim perëndimor nuk do të duhej të ndodhte”, ka thënë Haliti.

Haliti ka folur edhe për çështjen e presidentit apo presidentes së Kosovës, ku ka vlerësuar se zgjedhja do jetë sfiduese.

”Varet shumë se çka do të ndodhë me legjislaturën aktuale – A do krijohen institucionet e kësaj legjislature apo do shkojmë në zgjedhje të reja?”, ka thënë ai.

Mbi situatën nëse ka konstituim, ai nuk sheh krizë të re.

“Janë dy mundësi që nëse konstituohet kjo legjislaturë dhe ka votat e mjaftueshme edhe për zgjedhjen e presidentit nuk do të ketë krizë të re edhe pse është e lënduar kjo legjislaturë dhe situata e dytë kur konstituimi nuk i ka edhe votat e mjaftueshme për president dhe krijon krizë të re që në fakt edhe është esenca e krizës ekzistuese”, është shprehur Haliti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona do të duhet të shqyrtojë shitje në vitin 2026,…