Hamilton, 3 gara për të shmangur ‘rekordin e zi’

03 shtator 2025 | 12:08

Rrugëtimi i vështirë e Lewis Hamiltonit me Ferrarin duket se nuk po njeh fund. Pavarësisht se mbërriti në Holandë me shpresën për një “fillim të ri” pas pushimit veror, fati ishte sërish i pamëshirshëm me të. Në xhiron e 22-të, gjatë daljes nga kthesa e tretë, ai humbi kontrollin e makinës SF-25 dhe përfundoi në barriera, duke mbyllur para kohe garën. Ishte “zeroja” e dytë radhazi për të këtë sezon për shtatë herë kampionin e botës.

Me 15 Çmime të Mëdha të zhvilluara, britaniku vazhdon të zgjatë serinë më të keqe të karrierës së tij, duke mos u ngjitur në podium asnjëherë deri më tani (fitorja në Sprintin e Kinës nuk llogaritet në statistikat zyrtare). Kështu piloti britanik ndodhet tashmë në vendin e dytë të një klasifikimi të padëshiruar. Rezultati i fundit mjaftoi që ai të kalojë Ivan Kapelin në mesin e pilotëve të Ferrarit që kanë pritur më gjatë për të siguruar podiumin e parë me kostumin e kuq. Vendin e parë në këtë listë e mban Didier Pironi. Francezi zhvilloi 19 fundjava gare përpara se të arrinte podiumin e parë me skuadrën nga Maranelo.

Ai nuk pati sukses gjatë gjithë sezonit 1981, derisa arriti të “shijonte” medaljen e parë në Çmimin e Madh të San Marinos në vitin 1982. Tani, Lewis ka edhe tre gara në dispozicion për të thyer serinë negative dhe për të mos u regjistruar në këtë “rekord të zi”. Fundjava në Monza do të hapet këtë të premte me dy sesionet e para të provave të lira, të cilat do të mbahen përkatësisht në orën 13:00 dhe 17:00. Më pas të shtunën në orën 12:30 do të zhvillohet sesioni i tretë i lirë, ndërsa në orën 16:00 do të fillojnë kualifikueset. Çmimi i Madh i Monzës do të startojë të dielën në orën 15:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, është…