
Hamilton: Ferrari nuk funksionon, ndoshta faji im
Lewis Hamilton nuk i kurseu fjalët pas një fundjave zhgënjyese në Barcelonë. Piloti i Ferrarit, shtatë herë kampion bote në Formula 1, e cilësoi garën në Montmelo si më të keqen në karrierën e tij, duke pranuar publikisht se nuk e ka ende ndjesinë e duhur me makinën SF-25.
Në kualifikime, britaniku zuri vendin e pestë, ndërsa përfundoi i gjashti në garë, përfitim ky nga një penalizim i Max Verstappen. Por as ky rezultat nuk e zbuti frustrimin e tij.
“Ishte gara më e keqe e jetës sime për sa i përket balancës së makinës. Nuk ka asgjë pozitive për të marrë me vete nga kjo fundjavë. Nuk kam asnjë ide pse kjo makinë sillet me kaq shumë luhatje. Është ndoshta më e keqja që kam drejtuar ndonjëherë”, ka thënë Hamilton. Në komunikimin radiofonik gjatë garës me inxhinierin Riccardo Adami, Hamilton u ankua për mënyrën se si sillet SF-25 në pistë, duke theksuar pa mëdyshje se diçka nuk funksionon siç duhet. Pas garës, i pyetur nga Sky Sport UK, ai ka shtuar: “Çfarë doni të them më shumë? Ishte një ditë e tmerrshme. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar. Ndoshta është faji im. Ndoshta nuk jam unë në nivelin e duhur”.
Pavarësisht kësaj, drejtuesi i skuadrës Ferrari, Frederic Vasseur, u përpoq ta mbështeste Hamiltonin: “Lewis ishte për më shumë se 70% të garës përpara Russell. Dhe nuk besoj se George e konsideron garën e tij një katastrofë. Kishim një problem në stint-in e fundit para Safety Car. Rezultati nuk është i mirë, por Hamilton tregoi ritëm më të mirë gjatë shumicës së kohës”. Ferrari mbetet ende në kërkim të stabilitetit, ndërsa Hamilton përpiqet të gjejë harmoninë me makinën. E ardhmja do të tregojë nëse kjo fundjavë do të mbetet një moment i errët i izoluar, apo shenjë e një sezoni më të vështirë se pritej.