
Hamilton: Me këtë makinë, titulli është i pamundur
Pas një fundjave zhgënjyese në Çmimin e Madh të Kanadasë, ku Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton përfunduan përkatësisht në vendin e pestë dhe të gjashtë, Ferrari humbet terren në renditjen e konstruktorëve, duke u rrëzuar sërish në vendin e tretë.
Një performancë e zbehtë që u shoqërua me kritika të forta, veçanërisht nga Hamilton. Shtatë herë kampioni i botës u shpreh hapur: “Na duhen përditësime dhe nuk kuptoj pse nuk po i sjellim. Shpresoj që të vijnë së shpejti”.
Deklarata që duket se bien ndesh me qëndrimin e shefit të Ferrarit, Fred Vasseur, i cili e minimizoi rëndësinë e përmirësimeve teknike dhe theksoi se problemi kryesor është mënyra se si skuadra e menaxhon fundjavën. Hamilton ka shtuar se “ka shumë gjëra që po ndodhin në prapaskenë” dhe se Ferrari aktualisht nuk ka një makinë për të luftuar për kampionatin. Ai theksoi nevojën për të ndërtuar një bazë të fortë për të ardhmen, duke ndikuar pozitivisht në ndryshimet e nevojshme për sukses afatgjatë.
Ndërkohë, Charles Leclerc kritikoi zgjedhjet strategjike gjatë garës, duke thënë se do të kishte preferuar një qasje tjetër me gomat. Megjithatë, ai mori përgjegjësinë për gabimet e bëra në stërvitje dhe kualifikime. Shpresat janë për një rikthim më të fortë në Austri, ndërsa Ferrari kërkon stabilitet dhe performancë të qëndrueshme në vijim.