
Hamilton: Nuk dua të përfundoj si Alonso e Vetteli
Në prag të Çmimit të Madh të Belgjikës në Formula 1, që zhvillohet këtë fundjavë në pistën e Spa, piloti britanik Lewis Hamilton kërkon podiumin e tij të parë me Ferrari. Në 12 garat e para, 7 herë kampioni i botës nuk ka përfunduar kurrë më lart se vendi i katërt (ka fituar garën sprint në Kinë). Sir Lewis nuk është i kënaqur me këto muaj të parë te Ferrari, ku pak gjëra po funksionojnë siç e kishin imagjinuar ai.
Hamilton ende duhet të përshtatet plotësisht me një ekip dhe mjedis të ri, me metoda të ndryshme pune. Ai duhet t’i përshtatet ekipit dhe kjo është ajo që ka bërë gjatë këtyre javëve pushim, duke përpiluar një dokument që detajon të gjitha problemet e makinës.
“Në Maranello, mora pjesë në shumë takime me Vigna, Elkann dhe Vasseur, si dhe në takime teknike me Serra. Përgatita dokumente që detajonin problemet e ndryshme me makinën dhe ndryshimet që mund të zbatonim brenda ekipit. Arsyeja pse i shkrova dokumentet është se shoh potencial të madh në këtë ekip”, ka thënë Hamilton.
“Asgjë nuk i afrohet pasionit, por është një organizatë e madhe dhe ka shumë pjesë lëvizëse, jo të gjitha funksionojnë me kapacitet të plotë. Kjo është arsyeja pse ekipi nuk ka pasur suksesin që mendoj se e meriton. Mendoj se është puna ime të sfidoj çdo aspekt, veçanërisht ata që janë në krye dhe marrin vendime”, ka shtuar ai.
“Gjatë 20 viteve të fundit, Ferrari ka pasur pilotë të jashtëzakonshëm si Raikkonen, Alonso dhe Vettel, të gjithë kampionë bote. Por Fernando dhe Sebastian nuk kanë fituar këtu dhe unë refuzoj të lejoj që kjo të më ndodhë mua”, ka shtuar britaniku. “Kështu që, po bëj një përpjekje shtesë. Kam qenë me fat që kam fituar përvojë në dy ekipe të tjera të shkëlqyera. Edhe pse ka dallime kulturore, nëse bën të njëjtat gjëra, do të marrësh të njëjtat rezultate. Jam këtu për të fituar dhe ky është një moment vendimtar për mua”, ka përfunduar Hamilton.