Hamilton: U kam treguar drejtuesve ku duhet të përmirësohet Ferrari

24 korrik 2025 | 17:00

Në prag të Çmimit të Madh të Belgjikës, Lewis Hamilton ka ndarë përshtypjet e tij për përmirësimet e fundit të Ferrarit, të prezantuara në Mugello. Piloti britanik, i cili këtë sezon garon për herë të parë me “kokëkuqen”, është shprehur i kënaqur me zhvillimet teknike.

“Ndjesitë janë të njëjta si javën e kaluar. Jam i lumtur që i pashë këto modifikime. Kemi punuar shumë dhe do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht në çdo fundjavë gare,” tha Hamilton gjatë konferencës për shtyp përpara garës në Spa-Francorchamps.

Edhe pse testimet në Mugello ishin të kufizuara në një “filming day” dhe jo prova të plota, për britanikun ndryshimet janë premtuese:

“Nuk kemi bërë testime të mirëfillta, por ndjesitë janë pozitive. Do të provojmë pezullimet e reja nesër dhe presim përfitime në disa pista. Është pozitive që sollëm risi në Mugello, ndërkohë që shumë ekipe të tjera u paraqitën me përmirësime minimale”.

Megjithëse sezoni aktual duket i vështirë për objektiva madhorë, Hamilton tregon se po punohet intensivisht edhe për të ardhmen.

“Kam marrë pjesë në disa takime me Elkann dhe Vasseur, si dhe me drejtues të departamenteve të ndryshme. Kemi diskutuar për motorin e vitit 2026 dhe ata po përgatisin një dokument me sugjerimet e mia: ku duhet të përmirësohemi, çfarë duhet të zhvillojmë dhe si të ecim përpara. Ndoshta po fokusohemi pak më shumë seç duhet në vitin 2026,” shton ai.

Gjithsesi, edhe pse sytë janë nga sezoni i ri, kampioni i shtatëfishtë i botës nuk e heq dorë nga e tashmja. Me përmirësimet e fundit, Hamilton dhe Ferrari shpresojnë të përfitojnë që tani nga puna intensive që po zhvillohet në Maranello.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir…