Hamiti: Nëse nuk zgjedhet presidenti i vendit para datës 4 mars, Kuvendi të shpërndahet dhe vendi shkon sërish në zgjedhje
Nëse nuk zgjedhjet presidenti/ja para 4 marsit, atëherë Kuvendi do të shpërndahet dhe vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditës. Kështu ka shkruar në “Facebook”, Muhamet Hamiti nga LDK-ja, duke kujtuar se deri në 2001-n presidentit apo presidentja zgjidheshin me votën e qytetarëve.
“Kosova ka pasur sistem për zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejtë qytetare gjatë asaj që i themi Republika e Parë e Kosovës, në vitet 90-të të shekullit të kaluar. Ibrahim Rugova është zgjedhur dy herë President i Kosovës me votë të drejtpërdrejtë, më 1992 dhe më 1998. Kryetari i LDK-së dhe presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka këmbëngulur për zgjedhje të presidentit me votë të drejtpërdrejtë. Me Kornizën Kushtetuese të Kosovës që e ka shpallur si Rregullore Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, shefi i UNMIK-ut, Hans Haekkerup, më 15 maj 2001, mbas konsultash edhe me partitë politike të Kosovës, zgjedhja e Presidentit është lënë të bëhej nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”.
“Mandati i presidentit ishte trevjeçar atëherë. Ibrahim Rugova është zgjedhur dy herë president i Kosovës në Kuvend, më 2002 (pas zgjedhjeve të parlamentare të mbajtura më 17 nëntor 2001) dhe më 2004. Edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës zgjedhja e presidentit të vendit i është lënë Kuvendit. Mandati i presidentit tash është 5-vjeçar. Prandaj, sot përballemi me situatën që nëse nuk zgjedhet Presidenti i vendit para datës 4 mars, Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditësh”, ka shkruar Hamiti.



