
Hamiti: Vetëvendosje po sundon kundërligjshëm si qeveri e Kosovës
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar Lëvizja Vetëvendosje po sundon kundërligjshëm si Qeveri e Kosovës.
Ai ka thënë se kjo qeveri po i ndëshkon komunat që nuk qeverisen nga partia e Albin Kurtit.
“Qeveria e Vetëvendosjes po sundon kundërligjshëm si Qeveri e Kosovës. Kjo qeveri e Albin Kurtit i ndëshkon qytetarët e kryeqytetit, Prishtinës, dhe të komunave të tjera ku nuk qeveris LV-ja. Domethanë në shumicën dërmuese të komunave të Kosovës. Për fajin e politikave të mbrapshta të qeverisë së Vetëvendosjes, Kosova është nën sanksione ekonomike të BE-së prej qershorit të vitit 2023. Prej muajit të kaluar BE-ja nuk do takon në mjedise të Qeverisë deputetët e LV-së (Albin Kurti & Company) që qëndrojnë kundërligjshëm, me shkelje kushtetuese, në zyrat qeveritare që s’u takojnë më. Kështu do të jetë deri në formimin e një Qeverie me mandat kushtetues”, ka shkruar ai, duke kërkuar nga qytetarët që këtë logjikë qeverisëse ta ndëshkojnë në zgjedhjet e 12 tetorit.
“Qytetarët e Kosovës do ta kenë mundësinë ta ndëshkojnë me votë demokratike LV-në jodemokratike në zgjedhjet komunale të 12 tetorit. Së shpejti edhe në nivel vendi. LV-ja e Albin Kurtit nuk e ka festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Po e dëshmon edhe sot se e do pushtetin, por jo shtetin e Kosovës”, ka shkruar Hamiti.