Hamza: Ky është fillimi për t’i dhënë çdo familjeje një mundësi për jetë ma të mirë

11 dhjetor 2025 | 16:40

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, një ditë pas prezantimit të programit qeverisës, me sloganin “Bashkë. Përpara”, ka premtuar se misioni i tyre është rikthimi i stabilitetit.

Hamza ka thënë se do të punojnë që ta bashkojnë shoqërinë dhe që çdo familje të ketë një mundësi më të mirë për të jetuar në vendin tonë.

“Ky është fillimi i një misioni për ta rikthyer stabilitetin, për ta bashkuar shoqërinë dhe për t’i dhënë çdo familjeje në Kosovë një mundësi për jetë ma të mirë”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.

Hamza mbrëmë ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në fjalimin e tij.

Ai ka thënë se shtylla e parë e programit të tij është ajo e zhvillimit ekonomik.

Hamza ka premtuar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që sjell zhvillim e mirëqenie për çdo qytetar, për çdo familje.

“Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Do të ketë rritje të pagave 50% mbi pagën aktuale, për mësues e arsimtarë, policë e zjarrfikës, mjekë e ushtarë dhe për të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ai ka premtuar ta ndryshojë edhe shkallën e tatimit për të ardhurat e qytetarëve.

“Të ardhurat deri në 400 euro, zero tatim. 400 deri në 800 euro vetëm 8%. Mbi 800 euro, 10%. Do ta shfuqizojmë ligjin aktual të tatimit në pronë, që të mos ketë barrë të papërballueshme mbi qytetarët dhe bizneset. TVSh-në nuk do ta paguajnë më në kufi, por pas shitjes, reformë e madhe dhe më se e nevojshme për bizneset. Bizneset e vogla me deri në 10 mijë euro qarkullim, nuk do të paguajnë tatim e ato me qarkullim deri në 30 mijë do të paguajnë tatim vetëm mbi fitimin real. Bizneset e reja do t’i mbështesim me kredi dhe subvencione dhe do të zhvillojmë burime alternative të financimit, duke përfshirë edhe tregun e kapitalit”, ka thënë Hamza.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndonëse i humbi dy ndeshjet e plejofit për Ligën B…