Hamza: Ky vend meriton më shumë, besoj se bashkë mund t’ia kthejmë Kosovës drejtimin e duhur
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se Kosova është renditur ndër dy vendet më të varfra në Evropë.
“Një lajm që duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse tregon qartë kah po rrëshqet vendi ynë. Kjo është pasqyra e përditshmërisë së familjeve tona, e qytetarëve që po e kanë çdo ditë më të vështirë ta përballojnë jetën, e të rinjve që po e humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen këtu”, ka shkruar Hamza në ‘Facebook’.
Ai ka thënë se viteve të fundit, energjia e pushtetit është harxhuar në përçarje, propagandë dhe konflikte të pafundme politike, ndërkohë që qytetarët kanë mbetur të vetmuar përballë çmimeve të larta, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës.
“Kosova ka nevojë për një kthesë të madhe. Nëse kjo gjendje vazhdon edhe pak, pasojat do të jenë afatgjata”.
“Për kthim kah bashkëpunimi, puna, zhvillimi dhe partneriteti me miqtë tanë. Ka nevojë për institucione serioze që punojnë për mirëqenien e secilit qytetar, për stabilitetin e shtetit dhe për një jetë më të mirë për familjet tona. Ky vend meriton më shumë. Dhe unë besoj se bashkë mund t’ia kthejmë Kosovës drejtimin e duhur, para se të bëhet tepër vonë”, ka shkruar Hamza.



