Hamza: Ligji për Rimëkëmbjen nuk po zbatohet

04 qershor 2021 | 11:22

Në emër të PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që nga Qeveria ta respektojë Ligjin për Rimëkëmbje ekonomike, në interpelancën me ministrin e Financave lidhur me gjobat për bizneset gjatë pandemisë.

Ai ka thënë se ky ligj nuk po zbatohet edhe pse është në fuqi. “Gjendja me ekonominë është e rëndë. E para për shkak të pandemisë, e dyta për shkak të mos ndihmës nga qeveritë e kaluara. Gjykata Kushtetuese ka shpallë antikushtetuese vendimet e qeverisë, jam i bindur se ka disa gjoba të shqiptuara atë herë me këto vendime. 200 milionë euro kontribute financiare për bizneset, 30 milionë euro për të punësuarit që kanë humbur vendet e punës nga pandemia. Lirimi nga TVSH-ja për lëndën e parë. Qe sa muaj ky ligj nuk zbatohet, pse ministër nuk po zbatohet? Nuk mund të themi që ‘jemi pro biznesit, por nuk respektojmë ligjin që i ndihmon ato’”, ka thënë ai.

Hamza ka thënë se PDK-ja kërkon plan konkret për mbështetje financiare të qytetarëve dhe bizneseve.

“Kërkojmë një plan konkret për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, stimuj për qytetarët që kanë humbur vendet e punës, mbështetje për kompanitë private. Ndihmë të drejtpërdrejt për zhvillim në teknologji dhe inovacion, gratë sipërmarrëse, zanatlitë, etj. Lirim apo ulje të tatimeve për sektorët e prekur nga pandemia”, ka thënë Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për vite me radhë nivelit i gazit të dëmshëm dioksidi…