Hamza: Nga sot marrëdhëniet me ShBA-në po rrezikohen, bashkë me to edhe shteti i Kosovës

12 shtator 2025 | 16:06

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit të ShBA-së për pezullimin pa afat të dialogut strategjik për Kosovën.

Përmes një reagimi në “Facebook”, Hamza ka thënë se ky vendim shënon periudhën më të errët në historinë e re të Kosovës.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se shteti dhe populli i Kosovës nga sot është para një sfide ekzistenciale, ku sipas tij marrëdhëniet me ShBA-në po rrezikohen seriozisht, dhe bashkë me to edhe shteti i Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përjetësisht aleati më i rëndësishëm i Kosovës. Ky partneritet është pasuria më e madhe e shtetit tonë. Me SHBA-në e kemi bërë rezistencën paqësore. E kemi bërë luftën dhe e kemi arritur lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin. Pezullimi i dialogut strategjik me Kosovën, si pasojë e veprimeve të qeverisë, shënon periudhën më të errët në historinë e re të Kosovës.  Ky është lajm shumë i keq për ne, por njëkohësisht jam i bindur se nuk ka qenë vendim aspak i lehtë as për qeverinë amerikane”.

“Shteti dhe populli i Kosovës nga sot është para një sfide ekzistenciale, ku marrëdhëniet me ShBA-në po rrezikohen seriozisht dhe bashkë me to edhe shteti i Kosovës. Këto marrëdhënie nuk janë vetëm çështje diplomacie, por janë garancia më e fortë për ekzistencën, stabilitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës. Unë dua të rikonfirmoj se periudhës së mjegullës, kaosit institucional, polarizimit me aleatë dhe ofendimeve ndaj zyrtarëve amerikanë, po u vjen fundi. Apeli im publik mbetet i qartë: duhet t’i tejkalojmë egot personale dhe të bëhemi bashkë për ta ruajtur shtetin tonë. Kosovën duhet ta rikthejmë në rrugën euroatlantike, në partneritet strategjik me ShBA-në dhe BE-në”, ka shkruar Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se është shqetësuese…