Hamza: Nuk fshihem nga përgjegjësia, PDK-ja priti rezultat më të mirë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se nuk fshihet nga përgjegjësia në deklarimin e parë paszgjedhor, ku Vetëvendosja e Albin Kurtit ka fituar thellë për të qeverisur e vetme, me një përsëritje të rezultatit të vitit 2021.
Hamza ka thënë PDK-ja ka pritur rezultate më të mira, por që nuk ia ka dalë.
“Kemi pritur rezultat më të mirë. Por, PDK-ja ka arritur me ruajt votën e vet, me ruajt elektoratin e vet. Pozita i ka edhe përgjegjësit e veta, sikurse unë nuk fshihem pas përgjegjësive. Këto ditë do ë kemi takime me strukturat, vendimet do t’i marr në kohë, të analizuara, dhe nuk vonohem në vendimmarrje. Vendi të ketë institucione, vazhdon puna. Sepse mjaftueshëm kemi pasur bllokadë dhe mungesa. Secili ta kryen punën e vet, por edhe ne në opozitë me dhënë kontributin tonë”, ka thënë Hamza.
I pyetur për kërkesat që Albin Kurti i cili mbrëmë ndaj opozitës për të bashkëpunuar për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, Hamza ka thënë se ato gjithmonë janë votuar nga PDK-ja, dhe të gjitha çështjet me interes për vendin.
Për punën e presidentit të Kosovës, që duhet zgjedhur më së largu më 4 mars të vitit të ardhshëm, Hamza ka thënë se beson të gjendet një formulë për zgjedhjen e tij.
“Gjithçka që është në interes të vendit, PDK-ja e jep kontributin e vet. PDK-ja gjithmonë i voton marrëveshjet ndërkombëtare. Puna e presidentit? Kjo është çështje e ndarë, njëherë pres me u formuar qeveria dhe kur të vjen koha e presidentit, besoj që ka mundësi me u gjet formulë qysh me u zgjidh, që mos me u blloku vendi”, ka thënë ai.



