Hamza para qindra mësimdhënësve: Mësuesit meritojnë paga më të larta, dinjitet dhe vlerësim të merituar

31 maj 2026 | 19:03

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar sot qindra mësimdhënës, arsimtarë, profesorë dhe punëtorë të arsimit, me të cilët diskutoi për sfidat e sektorit të arsimit dhe nevojën për përmirësimin e pozitës së tyre profesionale dhe sociale.

Në fjalën e tij, Hamza theksoi se ata që edukojnë dhe formësojnë brezat e rinj nuk duhet të përballen me pasiguri ekonomike apo mungesë vlerësimi nga shteti.

“Mësuesit nuk duhet të mendojnë nëse u del paga për të kaluar muajin. Arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të ndihen të nënvlerësuar. Punëtorët e arsimit duhet të kenë siguri dhe dinjitet në punën e tyre”, tha Hamza.

Ai u zotua se me PDK-në në qeveri, arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar dhe se mësimdhënësit do të mbështeten me paga më të larta, kushte më të mira pune dhe vlerësimin që meritojnë për kontributin e tyre në zhvillimin e vendit.

“STOP krizës, PO ndryshimit! PO ndryshimit për një arsim që i respekton mësimdhënësit dhe e mbështet çdo punëtor të dijes: me paga më të larta, me kushte më të mira dhe me vlerësim të merituar për punën e tyre”, theksoi Hamza.

Takimi me komunitetin e arsimit është pjesë e aktiviteteve të fushatës së PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, nën moton “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari dhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian…