Hamza: PDK-ja respekton vendimin e Kushtetueses, s’kam pranuar ftesë nga Kurti
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka bërë me dije se nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për takim, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
“Jo, nuk ka ftesë”, ka thënë Hamza pas mbledhjes së Kryesisë dhe grupit parlamentar të PDK-së.
Ai ka thënë se PDK-ja e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Sot kemi mbledhje të kryesisë dhe të grupit parlamentar. Ditëve në vijim presim me pas edhe mbledhje të Këshillit Drejtues. Do t’i diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe sigurisht se mbi bazën e vendimeve të organeve të Partisë Demokratike të Kosovës do të dalim zyrtarisht me qëndrimin tonë”, ka thënë Hamza.
Ndërsa, i pyetur se a janë të gatshëm për ndonjë kompromis sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, Hamza ka deklaruar se çdo gjë që flasin para diskutimeve me organet e partisë nuk është gjë e duhur.




