Hamza takohet me një delegacion të BE-së: Integrimi evropian dhe anëtarësimi në NATO, synime strategjike të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur një delegacion nga Bashkimi Evropian të kryesuar nga Emanuele Giaufret, zëvendësdrejtor menaxhues të EEAS-it për Evropën Perëndimore.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka njoftuar PDK-ja.
Sipas këtij njoftimi, Hamza ka mirëpritur “vëmendjen e rikthyer të BE-së ndaj Kosovës dhe rajonit”, si dhe vendimin për heqjen e masave, duke e vlerësuar këtë si një hap pozitiv për forcimin e partneritetit dhe perspektivës evropiane të vendit.
Hamza ka theksuar se një Kosovë stabile dhe një rajon stabil janë në interes të përbashkët të të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të vetë Bashkimit Evropian.
PD-ja ka theksuar se Hamza ka rikonfirmuar përkushtimin e PDK-së për bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të BE-së për Kosovën, veçanërisht në përballimin e sfidave ekonomike dhe avancimin e reformave.
Në takim është ritheksuar se aspirata strategjike e Kosovës mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në NATO, si një orientim i qartë drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit të plotë euroatlantik.



