Hamza: TVSH zero për produktet esenciale, çmime më të lira dhe lehtësim i drejtpërdrejtë për familjet
Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar sot videon e radhës në kuadër të fushatës zgjedhore, duke shpalosur një nga zotimet kryesore që synon uljen e barrës së jetesës për familjet në Kosovë.
Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Hamza thekson se rritja e çmimeve të produkteve bazike po rëndon seriozisht buxhetin familjar dhe se nevojiten masa të drejta dhe të menjëhershme për ta përballuar këtë situatë.
“Të gjithë e dimë sa shumë janë shtrenjtuar produktet bazike. Këto çmime të larta po e rëndojnë çdo familje në vend,” shprehet Hamza.
Ai paralajmëron se, si Kryeministër, do të ndërmarrë një hap konkret ekonomik: uljen e TVSH-së për produktet esenciale, ndërsa për një pjesë të tyre TVSH-ja do të bëhet zero.
Sipas tij, lista përfshin produkte të domosdoshme për jetën e përditshme si buka, qumështi dhe produktet e tij, drithërat, vezët, vaji, barnat dhe produkte të tjera bazike.
“Kjo do të thotë çmime më të ulëta, më pak barrë për familjet dhe më shumë lehtësim për buxhetin e çdo shtëpie,” thekson Hamza.
Në përmbyllje të videos, kandidati për Kryeministër nënvizon se qasja e tij bazohet në drejtësi sociale dhe mbrojtje të standardit jetësor të qytetarëve.
“Sepse askush nuk duhet të luftojë për gjërat elementare të jetës. Unë jam Bedri Hamza, dhe ky është misioni im Bashkë. Përpara.”
Zotimi për TVSH zero në produktet esenciale është pjesë e platformës ekonomike të PDK-së, e cila synon uljen e çmimeve, rritjen e mirëqenies dhe kthimin e shtetit në shërbim të qytetarit.
Link: https://www.facebook.com/share/r/16571oKAgG/?mibextid=wwXIfr



