Hamza zotohet për uljen e tatimit në paga: Më shumë para në fund të muajit për punëtorët (Video)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video ku ka prezantuar një nga pesë zotimet e tij kryesore, me fokus të drejtpërdrejtë lehtësimin e barrës për punëtorët dhe familjet e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Hamza ka theksuar se rritja e kostos së jetesës dhe e çmimeve po e zvogëlon pagën reale të punëtorëve, duke premtuar reformë të drejtpërdrejtë tatimore si kryeministër.
“E di që kostoja e jetesës është rritur dhe familjet tuaja e ndjejnë këtë barrë çdo muaj. Paga juaj reale zvogëlohet nga tatimet, ndërsa çmimet vetëm sa shkojnë e rriten”, ka thënë Hamza.
Sipas planit të prezantuar në video, qeveria Hamza do të zbatojë një sistem të ri tatimi në paga.
“Pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen fare. Pagat nga 400 deri në 800 euro do të tatohen me 8 %. Pagat mbi 800 euro do të tatohen me 10 %”, ka shpjeguar Hamza.
Hamza ka theksuar se ky model synon rritjen e të ardhurave reale dhe përmirësimin e mirëqenies familjare, duke e bërë shtetin aleat të punës dhe punëtorit.
“Më shumë të ardhura dhe më shumë mirëqenie për familjen tuaj. Sepse, me mua Kryeministër, puna do të shpërblehet më shumë”, ka thënë Hamza.
Në përmbyllje të videos, Hamza ka nënvizuar se ky është misioni i tij politik, duke përsëritur sloganin e fushatës: “Bashkë. Përpara”.



