Hapet edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër

30 tetor 2019 | 15:15

Në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, të mërkurën është hapur festivali dyditor, i cili ka për qëllim promovimin e bizneseve të gjelbra në Kosovë dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe interesimit për riciklim, energjinë e ripërtërirë dhe energjinë efiçiente.

E veçanta e këtij festivali sivjet është përfshirja e sektorit të ndërtimit si konsumues të mëdhenj të të gjitha këtyre produkteve.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka deklaruar se sektori i prodhimit ka promovuar gjithmonë produktet “Made in Kosova”. “Ne si sektor i prodhimit gjithmonë i kemi promovuar produktet ‘Made in Kosova’, duke marrë parasysh edhe qëndrueshmërinë e ambientit që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është kur ne e mbrojmë ambientin, investojmë në ambient dhe që resurset të cilat i shfrytëzojmë mundohemi që sa më pak të kenë ndikim në jetën dhe ambientin përreth. Një festival i tillë ka për qëllim për t’i mbledhur të gjitha këto raste vjetore që janë investime në këtë sektor dhe për t’i prezantuar në një panair të tillë”, ka thënë Panxha.

Festivali i Gjelbër i këtij viti organizohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Në këtë panair marrin pjesë prodhues të sektorëve të ndryshëm, instalues që importojnë produkte nga vende të tjera, por që qëllimin e kanë te energjia efiçiente, riciklimi dhe të energjia e ripërtërishme.

Këtë vit, 45 kompani dhe organizata nga Kosova do të ekspozojnë produktet e tyre në pavijonin e gjelbër.

Edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër do të përfundojë sot (e enjte).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëse Brexit nuk do të realizohet dhe Britania Madhe do…