​Hapet fotoekspozita me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë 

27 nëntor 17:30

Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sot u hap foto-ekspozita e autorit Asllan Krasniqi, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kjo foto-ekspozitë, me moton “Kosova me 100 kalorës, Prishtinë-Vlorë”, përmban 100 fotografi që simbolizojnë 100 vjet të shtetit shqiptar.

Asllan Krasniqi tha se qëllimi i kësaj ekspozite është për shenjë të festës së ditës së pavarësisë së Shqipërisë. Ai rrëfeu rrugëtimin e kalorësve në vitin 2012 nga Prishtina për në Vlorë, për të cilin tha se ishte rikonstruimi i ngjarjes së vitit 1912, po ashtu edhe rrugëtimin i Isa Boletini në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Krasniqi tha se këto fotografi përfaqësojnë udhëtimin e kosovarëve për në Vlorë në vitin 2012

“Qëllimi i këtij baneri është që të tregohen fotografitë e 100-vjetorit në vitin 2012 edhe i kam nxjerrë për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë që është nesër. Këto fotografi përfaqësojnë udhëtimin e kosovarëve për në Vlorë në vitin 2012 që ka shkuar atje me kuaj për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë. Unë kam qenë fotografë me ta ekskluziv… Ka qenë plot emocion, ka pasur shumë njerëz edhe dhe unë kam qenë mes të tyre vazhdimisht me aparat duke fotografuar ka qenë një gëzim i madh me plot emocion”, tha Krasniqi.

Për më tepër, fotoreporteri Krasniqi thotë se ka njerëz që interesohen për këto fotografi, të cilat për herë të parë i ka ekspozuar në Prishtinë.

“Deri tani, meqenëse nuk ka shumë njerëz, po të gjithë ata që janë, sinqerisht afrohen dhe interesohen shumë. Mendoj që nesër do të ketë njerëz mjaft për ta parë, qëllimi është se sa më shumë njerëz ta shohin këtë ekspozitë me fotografi që simbolizojnë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë nga Prishtina në Vlorë. 10 vite i kam ruajtur, është për herë të parë që i ekspozoj këto fotografi… për herë të parë në Kosovë. Shkova të martën në Vlorë dhe nuk arritja të më presin të vijë dikush që të bisedojmë për këtë ekspozitë, sepse qëllimi im ishte për ta ekspozuar në Vlorë dhe Prishtinë”, tha Krasniqi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 nëntor, me tematikën: “KOSOVA ME 100 KALORËS, PRISHTINË-VLORË”. Projekti i foto-ekspozitës u mbështet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mbrojtjes dhe FSK shënuan Ditën e Forcës. Në…