
Hapet fushata për rritjen e vetëdijesimit rreth rrezikut të përdorimit të substancave narkotike nga fëmijët dhe të rinjtë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrit, Trust Circle Foundation dhe organizata Labyrinth, kanë bërë hapjen e fushatës “Një komunitet pa varësi”, fushatë e cila synon rritjen e vetëdijesimit rreth rrezikut të përdorimit të substancave narkotike nga fëmijët dhe të rinjtë.
Fushata u hap në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, ku është vendosur një instalacion ilustrues.
Fushata ka për qëllim vetëdijesimin dhe informimin për rritjen e përpjekjeve të përbashkëta për t’i ndërgjegjësuar qytetarët dhe për ta parandaluar përdorimin e substancave narkotike te fëmijët dhe të rinjtë.
Me rastin e hapjes së fushatës, fjalë rasti mbajtën Donjeta Kelmendi nga KOMF, Krenar Batusha nga Trust Circle Foundation, Adelina Sahirt nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale komuna e Prishtinës dhe Safet Blakaj nga Qendra Labyrinth.
Fushata do të zgjasë dy muaj dhe do të ketë aktivitete të shumta në nivel nacional, në komuna, shkolla dhe komunitet.
“Kosova po përballet me sfida të shumta në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me substanca narkotike. Vitet e fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar për herë të parë shifrën prej 30,000. Brenda kësaj shifre, fëmijët dhe adoleshentët zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë. Bazuar në të dhënat e organizatës Labyrinth, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit”, ka njoftuar KOMF-i, duke theksuar se për ta adresuar këtë situatë alarmante është thelbësore që të ndërmerren masa urgjente për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet e përdorimit të drogave.
“Gjithashtu, kërkohet zhvillimi i programeve të strukturuara për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga substancat narkotike në Kosovë dhe zhvillimin e shërbimeve të specializuara për trajtimin e fëmijëve dhe të rinjve përdorues të drogave, si dhe për fuqizimin e prindërve përmes programeve që i ndihmojnë ata të rrisin kapacitetin për përkujdesje dhe mbështetje ndaj fëmijëve të tyre”, është theksuar në njoftimin e KOMF-it.