
Hapet konkursi për pranimin e studentëve të UP-së në Qendrën e Studentëve
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP) e ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2025/2026. Kjo qënder ka njoftuar se konkursi do të jetë i hapur prej datës 15.09.2025 deri më datën 20.09.2025.
“Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit online, në adresat zyrtare të QS, web faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook Qendra e Studenteve-Prishtinë. Qendra e Studentëve këtë vit do të pranojë rreth 4 000 studentë.
Qendra e Studentëve ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për studim. Po ashtu, studentët e rregullt të UP-së, kanë mundësi të aplikojnë veçmas për të fituar të drejtën për t’u ushqyer në mensën e studentëve”, thuhet në njoftim.
Kriteret për të aplikuar janë të njëjta sikurse për aplikim për konvikt. Numri i studentëve që do të përfitojnë për ushqim në mensë, është 1 500 student. Mënyra e përzgjedhjes së studentëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs. Çmimi do të jetë 35 € për muaj (20€ banimi, 15 € ushqimi).