Hapet Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare, do të udhëhiqet nga ndërmarrësi Fikret Murati

28 maj 2021 | 15:12

Sot në Prishtinë është themeluar Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare.

Në mënyrë unanime, kryesues i kësaj organizate është përzgjedhur ndërmarrësi Fikret Murati.

Si një ndërmarrës që është rritur në Zvicër,  Murati u kthye në Kosovë për ta hapur kompaninë e suksesshme “Speeex”.

Për të, ceremonia e sotme është fillimi i një zhvillimi ekonomik të bazuar në praktikat zvicerane. “Ju falënderoj përzemërisht. Është një nder dhe krenari për mua që të jem prezent këtu mes jush, dhe është një nder i madh që ta kem besimin e juaj për këtë mandat. Ky është një moment shumë i veçantë për mua, ashtu siç e ceka në fillim, jam rritur në Zvicër dhe aty kam kaluar gjithë fëmijërinë time. Sot jam qytetar i Zvicrës dhe Kosovës, andaj tash po më kujtohet dhe mund të them se i kam bërë prindërit dhe paraardhësit e mi krenarë”, ka deklaruar ai.

Para të pranishmëve, Murati u shpreh optimist se do të jetësojë projektet që pritet të rrjedhin nga bashkëpunimi i mirëfilltë në mes palëve. “Jam shumë optimist për këtë bashkëpunim për mundësi të reja, rrjetëzim të ri dhe një bazament thelbësor që do ta ndërtojmë së bashku. Na pret një rrugëtim i ndritur dhe i bardhë, që së bashku me ekipin që do të përzgjidhet me anëtarët e tjerë të bordit do të punojmë që ta jetësojmë rrugëtimin tonë në integrim me ekonominë zvicerane”.

Në këtë ceremoni të themelimit është zgjedhur edhe kryesuesi i Thesarit, Armend Osaj nga “ACA” (Bashkëpunëtorët e Auditimit dhe Këshillimit), teksa zëvendëspresident është zgjedhur Granit Vokshi nga “Koci&Vokshi” me 13 vota për, teksa Bekim Kasumi nga ”Smart Bits” mori 7 vota.

Themelimi i organizatës është përshëndetur edhe nga të pranishmit tjerë, si përfaqësuesja qeveritare Fëllanza Podrimja dhe zëvendës ambasadorja e Zvicrës, Pauline Menthonnex Gacaferri dhe përfaqësues të Odës Gjermane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se…