
Hapet pikë e re kufitare në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi
Pikëkalimi kufitar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, Cemi i Trieshit – Grabon, i hapur më 3 gusht, do të shkurtojë rrugën nga Podgorica në komunat veriore të Plavës dhe Gucisë, nga 190 në 90 kilometra.
Kjo pikë kufitare është hapur nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, Edi Rama dhe Zdravko Krivokapiq.
Kryeministri Rama ka thënë se kjo pikë rrëzon edhe një tjetër mur mes këtyre dy vendeve.
“Por, nuk mjafton vetëm të ndërtojmë infrastrukturë nëse nuk heqim të gjitha barrierat në mesin e qytetarëve tanë, tarifore dhe jotarifore”, ka thënë Rama.
Krivokapiqi, në anën tjetër, ka thënë se hapja e një pikëkalimi të ri, është një konfirmim i forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe forcimit të lidhjeve.
“Mali i Zi është përcaktuar për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, dhe kjo është dëshmi se së bashku ne mund të bëjmë shumë, nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin, ne duhet ta ndryshojmë botën me njëri-tjetrin”, ka deklaraur Krivokapiqi.
Ndërsa zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë përmes një postimi në Twitter se pika e re kufitare përbën një mundësi të re për zhvillimin e veriut të Malit të Zi dhe lidhje më të mira njerëzore.
Kurse Amela Çekiq, kryetare e Komunës së Gucisë, ka thënë se pika e re kufitare do të thotë përmbushje e ëndrrës dekadëshe të banorëve të Gucisë, sepse do të kontribuojë në zhvillimin të komunës.
Projekti për ndërtimin e rrugës Dinoshë – Cemi i Trieshit ishte planifikuar me buxhetin kapital për vitin 2019 të Qeverisë së mëparshme të Dushko Markoviqit.
Ndërtimi ka kushtuar rreth 720 000 euro, nga të cilat Bashkimi Evropian ka siguruar gati gjysmë milioni euro.
Partitë opozitare në Mal të Zi kanë thënë të martën se, pika e re kufitare ka qenë projekt i qeverisë së mëparshme, dhe kanë akuzuar qeverisjen e re se po i merr meritat e qeverisë së kaluar.
Mali i Zi tani ka tri pikëkalime të përbashkëta kufitare, dy me Shqipërinë dhe një me Bosnje-Hercegovinën.