Hapja e grupit të tretë të kapitujve negociues, një nga kushtëzimet e Brukselit për Serbinë edhe zgjidhja e sulmit të “Banjskës”

18 nëntor 2025 | 21:54

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar në Bruksel se Serbia ka plotësuar kriteret teknike për hapjen e grupit të tretë të kapitujve negociues, por se progresi i saj drejt BE-së mbetet i kushtëzuar me përmbushjen e detyrimeve politike të parashtruara nga vendet anëtare – në qendër të të cilave është zgjidhja e plotë e rastit “Banjska”.

Në një takim me gazetarë në kuadër të Forumit të Zgjerimit të BE-së, Kos u shpreh se zbatimi i detyrimeve të mbetura është vendimtar.

“Ne po ofrojmë një dorë. Nëse Serbia e përmbush këtë, nëse nuk ka pengesë dhe nëse ka zhvillim pozitiv në fushën e medias së lirë dhe lirisë akademike, atëherë ne do të ecim përpara,” tha ajo.

Ajo theksoi se zgjidhja e rastit të sulmit në Banjskë, miratimi i ligjeve për median, pastrimi i listës së votuesve dhe reformat në REM janë kërkesat kryesore të vendeve anëtare që duhet të përmbushen para çdo hapi të ri në negociata.

Kos shprehu kritika të forta ndaj politikës së dyfishtë të Serbisë, duke thënë se për BE-në është e papranueshme që Beogradi të ruajë orientime paralele drejt Rusisë dhe Bashkimit Evropian, sidomos në kohën kur Rusia po zhvillon luftë në Ukrainë.

Ajo përmendi edhe rastet e dhënies së shtetësisë serbe disa qytetarëve rusë të sanksionuar dhe pjesëmarrjen e ushtrisë serbe në stërvitjen ushtarake ruse “Perëndimi”.

“Nëse merrni pjesë në veprimin e ushtrisë që vret njerëz në Ukrainë, harroni procesin e pranimit… Një vend i tillë nuk mund të bëhet anëtar i BE-së,” tha Kos.

Komisionerja theksoi se liderët serbë duhet të ndalojnë retorikën anti-evropiane dhe të rifitojnë besimin e qytetarëve në procesin e integrimit, pasi sipas saj, publiku sot i beson BE-së më pak se më parë.

Në lidhje me krizën energjetike dhe sanksionet ndaj kompanisë NIS, Kos tha se BE është e gatshme ta ndihmojë Serbinë financiarisht dhe në transformimin e sistemit energjetik, por nënvizoi se shkëputja nga varësia ndaj Rusisë është e pashmangshme.

Kos tha se procesi i zgjerimit po kthehet tek rrënjët e tij – tek ruajtja e paqes dhe stabilitetit në kontinent – duke kujtuar se “dështimi për të integruar Ballkanin Perëndimor në të kaluarën po paguhet sot”.

Ajo paralajmëroi edhe rritjen e fushatave hibride në Evropë dhe tha që strategjia e re “Mburoja Demokratike” synon të mbrojë demokracitë si brenda BE-së, ashtu edhe në vendet kandidate.

Në përfundim, Kos theksoi se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për anëtarë të rinj, por edhe të garantojë se zgjerimi do ta bëjë BE-në më të fortë, jo më të brishtë./Telegrafi/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së dhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,…