Haradinaj apel për bashkim politik: Të tejkalojmë bllokadat dhe ta çojmë Kosovën drejt zhvillimit

13 mars 2026 | 19:23

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Ai ka shkruar në “Facebook” se vendi është me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional.

“Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të Shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake”.

“Si vend e si shoqëri jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit. Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që sot janë në gjendje ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se Kosova gjithmonë ka pasur njerëz që kanë ditur të pozicionohen drejt në momente të vështira.

“Që kanë pasur kurajë ta bëjnë luftën, por edhe ta krijojnë paqen; Njerëz që kanë shkrirë dije, pasuri e jetë për këtë vend; Që kanë qëndruar dhe kanë pasur vizion që në çastet më vendimtare të rreshtohen pas aleatëve në krye me Amerikën; Që kanë ditur si krijohen miqtë e si luftohen armiqtë; Që kanë ditur ta bëjnë Shtetin, por edhe ta krijojnë Ushtrinë e tij; Që t’i rikthejnë tapitë e tokave dhe të pasurive të vendit të vet; Nga pavarësia e mbikëqyrur të bëhemi krejtësisht të mëvetësishëm, duke i realizuar të drejtat tona një e nga një… Të gjitha këto janë themel i fortë që të shohim veç përpara dhe të mos kërkojmë fajtorë, por ta kalojmë veten tonë e të lidhemi drejt të mirës së përbashkët”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se ai dhe Aleanca janë më të vetëdijshëm se kurrë se plot disa punë kanë mbetur pa u kryer.

“Që zgjedhjet të prodhojnë institucione dhe bllokadat të kalojnë në histori; Që njerëzit e këtij vendi të jetojnë dinjitetshëm me pagat, pensionet dhe ndihmat që u jep Shteti dhe të mos kërkojnë strehë nëpër botë; Që më në fund ta krijojmë një sistem modern shkollor që arsimon dhe një sistem shëndetësor që shëron; Që ta zhdukim distancën midis pushtetit dhe qytetarit, e ky i fundit të jetë sovrani i vendimmarrjes dhe të mos e detyrojmë që katër herë brenda vitit të shkojë në votime; Shteti dhe pushteti të jenë të tij…Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër, në trup e në shpirt, që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së”.

“Ta çojmë Kosovën aty ku përket, në mesin e vendeve të zhvilluara e demokratike, ta bëjmë pjesë të Familjes së demokracive perëndimore”, ka shkruar Ramush Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë opozitare kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për…