
Haradinaj: Baca Pajazit ishte frymëzim për shumë breza në rrugën drejt lirisë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të veprimtarit të kahershëm të çështjes kombëtare, atdhetarit të devotshëm, ish-të burgosurit politik dhe veteranit të UÇK-së, bacës Pajazit Zymeri.
Haradinaj ka ngushëlluar familjen Zymeri, bashkëluftëtarët, bashkëpunëtorët e idealit dhe të gjithë atyre që e njohën Pajazit Zymerin.
“Baca Pajazit ishte frymëzim për shumë breza në rrugën drejt lirisë që kulmoi me luftën çlirimtare. Atë e gjejmë në ilegalitet, krah veprimtarit e heroit Kadri Zeka. Zëri i tij kumboi edhe nga emigracioni, gjithmonë në shërbim të kauzës kombëtare në forma të ndryshme. I etur për liri, baca Pajazit iu bashkua radhëve të atdhetarëve në UÇK. Ai ishte njeri i dashur, mikpritës e human. I tillë do të kujtohet përherë. U prehsh në paqe, baca Pajazit!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.